Ibrahimi: Pështjellim dashakeq i qëndrimeve amerikane ndaj Kosovës

Prishtinë | 14 Jan 2019 | 16:21 | Nga Ekonomia Online

Nëse ne mendojmë që presidenti Trump po merret me Kosovën personalisht, është me të vërtetë të bësh hajgare në stilin e Stupcave. Por edhe nëse mendojmë që mund t’u bishtërojmë qëndrimeve amerikane (sidomos kur ato mbajnë vulën e presidentit) me analiza koti është amatorizëm politik, dhe shumë i rrezikshëm, ka thënë komentuesi politik Ilir Ibrahimi për Gazetën Metro.

Intepretimi dhe përshtjellimi që po u bëhet qëndrimeve amerikane ndaj Kosovës është sa amatoresk, por druaj edhe dashakeq, ka thënë komentuesi politik, Ilir Ibrahimi.

Ibrahimi i ka bërë këto komente sot, pasi mediet e Kosovës kanë njoftuar për një vendim të përbashkët nga Këshilli i Sigurisë Kombëtare të SHBA’ve dhe Departamenti i Shtetit Amerikan, të cilat, siç është bërë e ditur, kanë formësuar pozicionin e tyre lidhur me zhvillimet aktuale në Kosovë, përkatësisht çeshtjen e taksës së vendosur nga qeveria dhe dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë si dhe reagimet pas kësaj.

“Me aq sa e njoh funksionimin e qeverisë amerikane, qëndrimet politike amerikane ndaj Kosovës përgaditen nga administrata, kryesisht në State Department dhe National Secutiry Council, dhe atë jo në nivelin më të lartë. Për ti dhënë peshë më të madhe këtyre politikave, qëndrimet kanë ardhur duke ua vënë vulën e zyrës së presidentit.

Kështu e ka shpejguar ai edhe letrën e arritur ditë më parë nga presidenti Trump dërguar presidentit të Kosovës Hashim Thaçi lidhur me dialogun me Serbinë, ndërsa një letër me përmbajtje të ngjashmë i është dërguar edhe kryetarit të Serbisë, Aleksandar Vucic.

“Kështu shpjegohet letra e presidentit që erdhi ditë më parë. Nëse ne mendojmë që presidenti Trump po merret me Kosovën personalisht, është me të vërtetë të bësh hajgare në stilin e Stupcave. Por edhe nëse mendojmë që mund t’u bishtërojmë qëndrimeve amerikane (sidomos kur ato mbajnë vulën e presidentit) me analiza koti është amatorizëm politik, dhe shumë i rrezikshëm”, tërheq vërejtjen Ibrahimi.

Sipas Ibrahimit, Kosova po kalon në një moment shumë serioz ku do të vendoset fati për dekada të ardhshme, ndaj ka shtuar se “nuk është momenti për të bërë politika të stilit “ për inat të resë…”.

“Kërkesat dhe pritshmëritë e SHBA nga lidershipi Kosovar janë shumë të qarta dhe të drejtpërdrejta. Ashtu edhe duhet të merren. Nuk mund të merren si bazë zhvillimet e brendshme në Amerikë për të parashikuar se çfarë do të ndodhë me politikën amerikane ndaj Kosovës. Ajo nuk do të ndryshojë pa marrë parasysh këtyre zhvillimeve” ka thënë ai, duke rikujtuar se gjatë kohës kur është marrë vendimi për ndërhyrje të NATO-s në Kosovë, Presidenti Clinton ka qenë në proces të Impeachment ( procedura e largimit të presidentit nga detyra)

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme