Ibrahimi: Uashingtoni e ka flamurin e udhëheqjes së dialogut

Prishtinë | 16 Qer 2020 | 21:19 | Nga Ekonomia Online

Analisti politik, Ilir Ibrahimi, ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës tashmë kanë marrë primatin në bisedimet në mes të Kosovës dhe Serbisë.

“Po bëhet gati një dekadë prej nisjes së dialogut që nuk ka rezultate dhe Miroslav Lajçak pa dëshirën e tij është në pozitë shumë të keqe. Kemi pasur një riangazhim të administratës amerikane që e ka lënë Brukselin në hije”, ka thënë Ibrahimi, njofton Klan Kosova.

“Administrata amerikane e ka përsëritur se rolin kryesor në dialog e ka Brukseli. Tash Uashingtoni e ka marrë flamurin në udhëheqjen e dialogut. Po dëshmohet se pa rolin e SHBA-së nuk mund të zgjidhen kontestet politike në Ballkan. Kjo nuk është diçka e re. E mbajmë mend konfliktin në Kroaci, Bosnjë…”.

Ibrahimi në Rubikon ka thënë se beson se çështja e ndryshimit të kufijve është ende e hapur.

“E kemi ditur që nuk janë problem kufijtë. Nuk ka njohje të pavarësisë së Kosovës nga Brukseli zyrtar dhe kjo është reflektuar në dialog. Nuk mendoj se është hequr nga tavolina çështja e kufijve. Çdo gjë është në tavolinë kur hyn në negociata se secili duhet të japë diçka. Nuk është heq si mundësi që mund të çojë te njohja e ndërsjellë mes dy vendeve”.

“Kosovës i duhet marrëveshja  jo sot, por dje! Nuk mund të llogarisë Kosova në pafundësi në SHBA-të për depërtimin në arenën ndërkombëtare. Nëse presim edhe më gjatë nuk mund të jemi në një pozicion më të mirë”

Të ngjashme