Ideja e Thaçit për Bashkim Kombëtar, jo serioze dhe kundërkushtetuese

Prishtinë | 02 Qer 2019 | 08:33 | Nga Norë Kelmendi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tash e disa ditë ka filluar t’i shpeshtojë deklaratat për për Bashkim Kombëtar

Duke përmendur izolimin që është duke iu bërë Kosovës nga BE-ja, i pari i shtetit po thotë se kjo është një nevojë e pashmangshme e Kosovës.

Mirëpo, këto deklarime të Presidentit, po shihen me skepticizëm nga ana e njohësve të çështjeve politike në vend, jo për thelbin e idesë, por për pamundësinë e realizmit të saj.

Politologu kosovar, Ramush Tahiri, në një intervistë për Ekonomia Online, thotë se ideja e Bashkimit Kombëtar, është një ide e vjetër dhe se me kushtetutë e ka të ndaluar bashkimin me shtetet e tjera që në nenin e parë dhe kjo është marrë për bazë gjatë shpalljes së pavarësisë për arsye që populli shqiptar të mos shkaktojë tensione tjera në regjion.

“Ideja e Bashkimit Kombëtar është ide shumë e vjetër, është prej Rilindjes e këndej sepse të gjithë popujt kanë krijua shtetet kombëtare në bazë etnike dhe kur është krijues Shqipëria shtetet fqinje kanë marrë territore të saj dhe Shqipëria etnike nuk është bërë dhe tash edhe 100 vjet pas përkufizimit shtetëror, kjo ide ka mbet aktuale. Kuvendi i saj ka të drejtë me nxjerrë deklaratë ose vendim për bashkim me cilindo shtet tjetër”, tha Tahiri

Idenë e presidentit Thaçi, Tahiri e cilëson si një ide që ka mbështetje, por sipas tij kjo nuk mund të bëhet për momentin, me arsye se Kosova është përcaktuar në çështje tjera jetike, për sovranitet e integrim në BE.

“Kërkesa e presidentit Thaçi është ide serioze, është ide që ka mbështetje dhe si president ka përgjegjësi të caktuara edhe pse me kushtetutë është i ndaluar Bashkimi me shtetet e tjera, por a do realizohet kjo ide, mbetet të shihet se a do ketë iniciativë në Kuvend dhe si do reagon Bashkësia Ndërkombëtare, por si ide nuk mundet askush me e mohu. Nuk është aktuale ideja e Bashkimit Kombëtarë për momentin, por mund të bëhet, për momentin  Kosova është përcaktua që të jetë shtet sovran dhe i pavarur, të bëhet anëtare e OKB-së dhe BE-së dhe kufijtë mos të ekzistojnë mes Shqipërisë dhe Kosovës por edhe mes rajonit, populli shqiptar ka interes që të mos ketë kufij me shtetet fqinje”.

Arsyen e presidentit për këtë ide që presidenti nuk e kishte shfaqur ndonjëherë më herët, Tahiri thotë se e di.

Njëjtë si në deklarimet e presidentit, edhe Tahiri thotë se arsyeja e kësaj ideje, është pasi presidenti Thaçi është i zhgënjyer me procesin e ngadalshëm të Integrimit Evropian dhe pamundësinë e Lëvizjes së lirë për kosovarët, drejt vendeve të BE-së.

“Mendoj që Presidenti është i zhgënjyer me procesin e ngadalshëm me procesin e ngadalshëm të Integrimeve Evropiane, me mos liberalizimin e vizave, sepse Kosova do ishte dashtë edhe para Serbisë ta ketë liberalizmin e vizave dhe të jetë e integruar në Evropë, sepse Kosova është projekt edhe ndërkombëtarë…Kjo ide nuk mendoj që është aktuale dhe do shkojë në kuvend, po të shkon në kuvend unë nuk mendoj që ka deputet që do ketë kurajon morale që të veton kundër Bashkimit Kombëtar “, u shpreh Tahiri.

Ndërsa nga Lëvizja Vetëvendosje, parti kjo e cila bashkimin kombëtar e kanë edhe në programin e tyre partiak, shprehen se presidenti po del njeriu më i pasur për nga idetë.

Deputeti Ismajl Kurteshi, thotë se presidenti nuk duhet të merret seriozisht, pasi çdo ditë po del me nga një ide të re, por vështirë të realizueshme.

Madje deklaratat e presidentit Thaçi për Bashkim Kombëtar, Kurteshi i quan si “hajgare pa krip”.

“Presidenti po del njeriu më i pasur për nga idetë, sepse brenda dite i ka 3 ide që janë në kundërshtim me njëra tjetrën dhe duke pas aq shumë ide ai po del edhe shakagjiu më i madh në këtë vend dhe vërtetë mendoj që askush më në këtë vend, nuk i merr seriozisht deklarimet e tij. Presidenti para se ta deklaron atë idenë e tij për ndarjen e Kosovës, pati thënë se në bisedimet e ardhshme me Serbinë, na presin kompromise të dhimbshme dhe tani na del me bashkimin e Luginës dhe atë me Shqipërinë, që absolutisht nuk janë kompromise të dhimbshme, janë madje interes i shqiptarëve që ta kenë një shtet të përbashkët dhe në treg të përbashkët, këto që po i thotë presidenti, jo vetëm për mu por për secilin qytetarë, janë hajgare të pakrypta”, tha Kurteshi.

Kurteshi shprehet se presidentit Thaçi, nuk i interesojnë arsyet e Bashkimit Kombëtar.

” Presidentit nuk po i interesojnë arsyet e Bashkimit Kombëtarë, ai ka shumë arsye të tjera që i ndërron deklaratat prej momentit në moment, ka një siklet që do duhej ta ndajë me gjithë qytetarët në formën si po e ndan”, shtoi Kurtshi.

Kujtojmë se kjo nuk është ideja e vetme e Presidentit Thaçi, ai më herët ishte deklaruar shumë shpesh edhe për bashkimin e Kosovës me Luginën e Preshevës.

Të ngjashme