Ideja për shkëmbim territorial po konsiderohet e rrezikshme nga liderët politikë

Prishtinë | 05 Sht 2018 | 10:07 | Nga Besjana Bajrami Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kurti: Çdo marrëveshje me Serbinë matet me Mitrovicë

Çdo marrëveshje me Serbinë matet me Mitrovicë, tha kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, në tryezën e organizuar nga Emisioni “Jeta në Kosovë”  me liderë politikë nga Kosova dhe Lugina e Preshevës rreth idesë së fundit të presidentit Thaçi, për korrigjimin e kufijve mes Kosovës dhe Serbisë.

Kurti theksoi se me përhapjen e idesë për shkëmbim territorial, Kosova heq dorë nga veriu, ndërsa e ka të vështirë marrjen e Luginës, raporton Ekonomia Online.

“Është e domosdoshme që ne ta përpilojmë listën e kërkesave për Serbinë, sepse na ka shumë borxh. Nuk ka ndonjë dokument zyrtar që ne i kemi përpiluar të gjitha borxhet që Serbia na ka. Në idenë për kompromise territoriale, presidenti Thaçi e ka relativizuar territorin dhe integritetin e Kosovës”.

“Me këtë qëndrim të presidentit ka tendencë të kthehemi në kohën kur Kosova e kishte ende statusin e hapur.  Me tezën për shkëmbim territorial nga pala kosovare disa eksponentë kanë hequr dorë nga veriu e Luginën nuk do ta marrin. Çdo marrëveshje me Serbinë matet me Mitrovicë. Kufijtë e Kosovës duhet të konsiderohen të Kosovës dhe asnjë person nuk ka të drejtë t’i vendosë në tavolinën e diskutimeve”, tha Kurti.

Hoti: Ideja për shkëmbimin e territoreve është tragjike për vendin

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, tha se ideja e shkëmbimit të territoreve ka krijuar pasigurinë më të madhe te populli që nga paslufta, dhe si e tillë është tragjike për vendin, raporton EO.

“Është qëndrim i LDK-së tash e tri dekada që është vendosë me u luftu politikisht për Kosovë të pavarur. Ka 3 vite që kemi ngecje në numrin e njohjeve të Kosovës dhe kjo nuk na jep të drejtë për shkak të kësaj ngecje të rikthehemi dhe ta shikojmë shtetësinë”.

“Ne veriun e Kosovës nuk e kemi në kontroll, ende banda kriminale i terrorizojnë njerëzit atje. Është krijuar pasiguri e madhe ekonomike, politike e sociale te qytetarët e Kosovës dhe duhet një mandat i tërë për t’i rikoperuar këto dëme. Shkëmbimi i territoreve nuk është rezultat i politikës ndërkombëtare. Kjo është ide e Serbisë dhe e Moskës e përkrahur nga disa kuzhina të krijuara në Kosovë”, tha ai.

Hoxhaj: Nuk ka ndarje të Kosovës, të bisedojmë për temat e dialogut

Zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj tha se qëndrimi i PDK-së është i prerë, nuk ka ndarje të Kosovës, as shkëmbim e as korrigjim të territoreve, raporton EO.

“Ka dy dimensione ku ka dështuar Pako e Ahtisarit, është veriu i Kosovës dhe anëtarësimi në OKB. Në këto 7-8 vitet e fundit kemi kërkuar që dialogu që ka filluar në 2011 të ketë caqe të matshme, që të afatizohet. Sot jemi në fazën përfundimtare të përfundimit të dialogut”.

“Nuk mbrohet interesi i Kosovës në hotel Sirius. Ne do të duhej ta mbështesim ekipin negociator në Kuvendin e Kosovës. Duhet të definohet cili është roli i kuvendit, duhet të bisedojmë për temat e dialogut. Qëndrimi i PDK-së është i prerë, nuk ka ndarje të Kosovës, as shkëmbim e as korrigjim të territoreve, Hashim Thaçi flet në emër të vet”, shtoi Hoxhaj.

Haradinaj: Jemi kategorikisht kundër korrigjimit të kufijve

Ndërkaq edhe Daut Haradinaj, nga radhët e AAK-së, ka përsëritur qëndrimin e tij kundër korrigjimit dhe shkëmbimit territorial, raporton EO.

“AAK-ja  ka koalicion me PDK, ndërsa Hashim Thaçin e ka zgjedh LDK-ja, jemi kategorishkisht kundër , korrigjimit, ndryshimit, shkëmbimit, askush nuk ka guximin të diskutoj diçka të tillë, koalicioni nuk shantazhohet këtë e kemi dëshmuar dhe e dëshmojmë, jemi në koalicion me PDK-në dhe do të përkrahim iniciativat që janë për të mirën e vendit, ju po e linçoni PDK-në por ata nuk janë pro korrigjimit”, tha ai.

Të ngjashme