IKD: Institucionet dhe partitë të veprojnë me maturi në këtë situatë

Prishtinë | 27 Mar 2020 | 15:22 | Nga Ekonomia Online

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) i ka ftuar përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës, përfshi Presidencën, Kuvendin dhe Qeverinë në detyrë, si dhe partitë politike që në situatën e krijuar dhe ballafaqimin e përditshëm me pandeminë e virusit COVID-19, të veprojnë me maturi dhe në respektim të Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi.

“Republika e Kosovës nga data 25 mars 2020 është në një gjendje të re politike si rezultat i miratimit të mocionit të votëbesimit të Qeverisë Kurti nga Kuvendi i Republikës së Kosovës. Për më tepër, Kosova është e përfshirë në fazë të ndjeshme dhe kritike për popullin e Kosovës dhe institucionet e Republikës së Kosovës në menaxhimin e suksesshëm dhe parandalimin e virusit COVID-19, që po rrezikon shëndetin publik të qytetarëve të Republikës së Kosovës, por që do ketë edhe pasoja afatgjata ekonomike dhe financiare jo vetëm për Republikën e Kosovës por edhe tërë botën në përgjithësi”, thuhet në komunikatë.

IKD rikujton liderët institucionalë dhe të partive politike se Kosova gjendet në një fazë tejet të ndjeshme në luftën kundër shpërndarjes së mëtutjeshme të virusit Covid-19 dhe ndërmarrja e çfarëdo veprimi tutje duhet të jetë i kujdesshëm që mos të vazhdojë të thellojë rrezikimin e funksionimit të institucioneve demokratike në vend.

“Për më tepër të gjithë liderët institucionalë dhe politikë në Kosovë duhet të ndërmarrin të gjitha masat dhe veprimet e nevojshme që përçojnë unitet, siguri dhe besim në institucionet e Republikës së Kosovës, si për qytetarët e Kosovës ashtu edhe për partnerët tanë ndërkombëtare”.

“IKD me theks të veçantë iu bën thirrje Presidentit të Republikës, deputetëve të Kuvendit të Kosovës, Qeverisë në dorëheqje dhe liderëve politike, që procesi i formimit të qeverisë së re të bazohet në Kushtetutë, Aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës dhe praktikave të mira të ndërtuara në Kosovë dhe praktikave kushtetuese të shteteve me demokraci parlamentare”.

Të ngjashme