Imer Mushkolaj propozon “modelin” për arritjen e marrëveshjes VV-LDK

Prishtinë | 09 Dhj 2019 | 14:38 | Nga Ekonomia Online

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka më shumë se 10 ditë që ka certifikuar rezultatet e zgjedhjeve parlamentare të 6 tetorit, por dy partitë e para, Lëvizja Vetëvendosje (VV) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ende nuk kanë arritur ta finalizojnë marrëveshjen mes tyre për krijimin e koalicionit qeverisës.

Menjëherë pas certifikimit të rezultateve nga ana e KQZ-së, ndodhi një takim mes dy liderëve të partive politike, ku ishte paraparë edhe të bëhej marrëveshja përfundimtare, por kjo nuk u arrit.

Problemi kryesor që po hasin këto dy parti gjatë rrugës për marrëveshje është këmbëngulja e LDK-së për të diskutuar që tani postin e presidentit të ardhshëm, gjë që VV po e kundërshton një gjë të tillë.

Analisti politik, Imer Mushkolaj, në një prononcim për GazetaBlic tha se problemi kryesor që këto dy parti janë bllokuar dhe nuk po arrijnë dot ta finalizojnë marrëveshjen është posti i presidentit, por ai thotë se ka zgjidhje të tjera për ta tejkaluar këtë bllokadë.

“Problemet tani më po dihen është çështje posti i presidentit, pavarësisht a është blloku për këtë çështje apo çfarë, VV po duket se nuk po toleron ta jap LDK-së presidentit, duhet parë zgjidhje tjera dhe nuk ka nevojë situata të bllokohet”, tha ai.

“VV dhe LDK duhet pajtuar të ndërmarrin iniciativën deri të vij koha e zgjedhjes së presidentit të sigurohet zgjedhja e tij e drejtpërdrejtë, kjo mund të arrihet nëse dy partitë janë të gatshme ta realizojnë reformën zgjedhore dhe e dyta të merren veshë kjo çështje të mos diskutohet deri sa të vij koha e duhur deri të afrohet koha e përfundimit të mandatit të Thaçit dhe më pas të merren vesh për një person që nuk i takon asnjë partie politike”, tregoi Mushkolaj.

Ai thotë se kjo bllokadë e deri tanishme nuk ka të bëj asgjë me parimet, por e gjitha po bëhet për shkak të pozitave.

“Kjo bllokadë është zvarritje e koalicionit qeverisës, nuk ka të bëj asgjë me parimet, nuk është parimor por po bëhet për shkak të pozitave për me akomodu njërin nga zyrtarët e LDK-së”, tha ai.

Sipas Mushkoljat, është e pakuptimtë dhe banale po të shkohet përsëri në zgjedhje sepse zgjedhjet e 6 tetorit nuk ishin për zgjedhjen e presidentit, por të deputetëve të rinj dhe krijimit të një Qeverie të re.

“Kjo do të ishte banale dhe absurde që vendi të shkoj në zgjedhje për shkak se dikush nuk po akomodohet në pozitën e presidentit, kjo do ishte përdhosje e vullnetit të qytetarëve sepse qytetarët kanë votuar jo për pozitën e presidentit, por për deputetë dhe kryeministrin, nuk pres të shkohet në zgjedhje për shkak se këto dy parti nuk po munden të merren vesh për ndonjë pozitë cila do qoftë ajo dhe po të ndodhte kështu por nuk besoj se do ndodh atëherë besoj se do ishte humbje  besimit të elektoratit të dy partive që kanë premtuar ndryshimin që nuk ka ndodhur deri tani “, tha Mushkolaj.

Mushkolaj ka komentuar deklaratat e zyrtarëve të dy partive të cilat po presin nga njëra-tjetra ftesë për një takim të radhës.

Ai tha se nëse ekziston vullneti, që të dyja partitë mund ta bëjnë një ftesë të tillë dhe në këtë mënyrë shihet se kush është përgjegjës i kësaj pengese të koalicionit.

“Le ta thërras LDK-ja, nëse është vullneti për me zhblloku situatën edhe nëse nuk e thërret VV, le ta thërras LDK, edhe le të thonë që ne e kemi ftu, le të flasin publikisht që ne po i bëjmë ftesë VV-së për zhbllokimin e situatës, le të dihet saktë se kush është përgjegjës apo fajtori për këtë rast, përndryshe tu u fsheh pas këtyre lojërave ja unë e thirra ja ky po tregohet papërgjegjshmëri dhe mungesë e vullnetit të partive për me zhblloku situatën, situata vazhdon të jetë e bllokuar për shkak se dy partitë e përgjegjshme do mund ta zgjidhnin fare lehtë një situatë të tillë përtej egoizmave dhe dëshirave për cilin do emër të përveçëm për ta akomoduar në ndonjërin post”, tha në fund Mushkolaj.

Të ngjashme