INDEP: Pako për ringjallje ekonomike të implementohet sa më shpejtë, sektori privat në gjendje të vështirë

Prishtinë | 17 Gus 2021 | 12:11 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Qeveria e Kosovës muajin e kaluar bëri ndarjen e 420 milionë euro për ringjalljen ekonomike. Pako që përmban pesë masa ka filluar implementimin, por Liron Gjocaj nga Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) në një deklaratë për Ekonomia Online tha se ajo duhet të gjejë zbatim sa më shpejtë.

Krejt kjo ngase sipas tij,  gjendja në sektorin privat nuk është aspak e mirë.

“Po pandemia Covid-19 ka ndikuar mjaftë shumë dhe ka shkaktuar shumë dëme si tek bizneset ashtu edhe tek qytetarët. Pakon e ringjalljes ekonomike ne si INDEP e shohim në një moment të duhur dhe mjaftë atraktive”.

“Nga buxheti shohim se kjo pako në vlerë prej 420 milionë euro kjo pako i ka pesë masa kryesore që shërben si mbështetje për bizneset, infrastrukturën, punësimit, familjet, investime tjera etj. Kjo pako vjen në një situatë jo të lehtë dhe kritike ku jemi në proces të vaksinimit, por dëmet akoma po paraqiten te bizneset, dhe që implementimi të bëhet sa më shpejtë”.

Tutje ai tha se masat për sektorin privat dhe kthimin e vendeve të punës do ishte një sukses, nëse bëhet implementimi ashtu siç kanë premtuar, raporton Ekonomia Online.

“Sektori privat ka qenë i dëmtuar nga mbylljet totale e edhe pas hapjeve, por në pako përfshihet mbështetja e sektorit privat, kthimi i punëtorëve nga vendet e tyre të punës, krejt kjo nëse bëhet implementimi me kohë dhe ashtu siç kanë premtuar, pasi do jetë një mbështetje e madhe për sektorin privat”, theksoi tutje ai.

Gjocaj shton se ndër faktorët kyç të zhvillimit është edhe energjia dhe investimi në të, duke theksuar faktin se investimi në këtë sektorë është garanci për zhvillim.

“Ekonomia është primare për secilin vend, por që energjia e fuqizon një shtet edhe më shumë, dhe 100 milionë euro janë paraparë për energjinë ku shihet një e ardhme e pastër e energjisë”, përfundoi ai.

Kabineti qeveritar më 14 korrik ka miratuar propozimin e ministrit të Financave, Hekuran Murati, për pakon e ringjalljes ekonomike pas pandemisë Covid-19 me vlerë 420 milionë euro.

Të ngjashme