Institucionet pa përgjigje për dezinformatat ruse që kanë shënjestër Kosovën

Prishtinë | 07 Sht 2021 | 10:55 | Nga Aulona Sylaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Instituti Kosovar për Kërkime dhe Zhvillim të Politikave (KIPRED) prezentoi punimin “Observeri i Kosovës: Lufta Diplomatike Ruse dhe Dezinformatat Mediale, 1 qershor – 15 gusht 2021”, raporton Ekonomia Online.

Sipas drejtorit të këtij instituti, Lulzim Peci raporti tremujor ka analizuar deklarata dhe dezinformata nga shteti rus që kanë pasur për shënjestër Kosovën.

Peci poashtu ka theksuar se të gjithë analizat tregojnë qartë vazhdimësinë e synimeve të narrativave ruse për t’ia gërmuar themelet shtetësisë së Kosovës.

Ai më tej ka vlerësuar se institucionet kosovare nuk kanë bërë reagimin e duhur ndaj kësaj fushate që Rusia po bën, përmes formave të ndryshme që ajo po zgjedhë.

Deklarata e plotë:

Observeri i Kosovës: Lufta Diplomatike Ruse dhe Dezinformimi Medial – është një raport tremujor që synon t’i analizojë deklaratat publike dhe publikimet të establishmentit të politikës së jashtme të Rusisë, dhe veçoritë e lajmeve që përmbajnë dezinformata dhe keqinformim që kanë për shënjestër Kosovën, të publikuara nga mediat ruse në gjuhën angleze dhe serbe.

Ky punim konkludon se një moment shumë i rëndësishëm në luftën diplomatike ruse kundër Kosovës do të krijohet pas përfundimit të marrëveshjes për moratoriumin e Kosovës për të aplikuar për anëtarësi në organizatat ndërkombëtare, dhe të fushatës së Serbisë për çnjohjen e Kosovës, që ka përfunduar më 3 shtator 2021, dhe kjo do të përputhet me hapjen e Sesionit të 76 të Asamblesë së Përgjithshme të KB. Ky moment mund të shfrytëzohet nga Rusia për të punuar bashkërisht me Serbinë për ta zbatuar një fushatë agresive për çnjohjen e Kosovës gjatë zhvillimit të Sesionit dhe menjëherë pas tij.

Lidhur me këtë, analizat e 10 deklaratave, të konferencave për shtyp, artikujve dhe të dokumenteve të tjerë të establishmentit të politikës së jashtme ruse, të plasuara nga 1 qershori deri më 15 gusht 2021, tregojnë qartë vazhdimësinë e synimeve të narrativave për t’ia gërrmuar themelet shtetësisë së Kosovës dhe angazhimit perëndimor në Kosovë dhe rajon, për t’i ndryshuar narrativat për krimet e luftës në ish-Jugosllavi, duke ia rrënuar kësisoj themelet drejtësisë ndërkombëtare, për ta akuzuar Kosovën për shtypjen e serbëve lokalë dhe të Kishës Ortodokse Serbe, dhe për mosrespektimin e marrëveshjes për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, si dhe për ta krahasuar rastin e Kosovës me atë të Krimesë. Këta narrativë e strukturojnë luftën diplomatike të Rusisë kundër Kosovës.

Pos kësaj, analiza e veçorive të përgjithshme e 96 artikujve me dezinformatave të botuara nga mediat me origjinë në Rusi, tregojnë se ngjajshëm me ato të establishmentit të politikës së jashtme të Moskës, ato kanë qenë kryesisht të përqendruara në rrënimin e themeleve të legalitetit të shtetësisë dhe të sovranitetit të Kosovës, në ndryshimin e narrativave të luftës dhe të krimeve të luftës në ish- Jugosllavi, dhe në rrënimin e themeleve të kredibilitetit të angazhimit Perëndimor në shtet-ndërtim dhe në dialogun Prishtinë–Beograd, me përjashtim të Sputnik Serbia që një vëmendje të veçantë në

dezinformata ia jap paraqitjes së komunitetit serb dhe të Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë si të shtypura dhe të kërcënuara.

Në këto rrethana, Qeveria e Kosovës, në koordinim me partnerët e saj Perëndimorë, duhet të përgatitet mirë për Sesionin vijues të Asamblesë së Përgjithshme të KB, me qëllim që ta shmangë ndonjë tërheqjeje të papritur të ndonjë njohjeje. Në këtë drejtim, Qeveria e Kosovës duhet t’u drejtohet anëtarëve të KB me një dokument të përshtatshëm që i kundërvihet narrativave ruse dhe serbe kundër shtetësisë dhe sovranitetit të Kosovës, dhe të bëjë fushatë për njohjet e mëtutjeshme.

Ky moment është posaçërisht i rëndësishëm për shkak të faktit që çdo njohje apo çnjohje e mëtutjeshme e Kosovës do të ketë një ndikim serioz në procesin e dialogut me Serbinë, duke patur parasysh që kjo do të ndikojë në mënyrë të konsiderueshme në forcën e pozitave së çdonjërit prej tyre.

Të ngjashme