Instituti EPIK: Kush premtoi lëvizjen pa viza deri në fund të vitit 2018?

Prishtinë | 29 Tet 2018 | 13:21 | Nga Ekonomia Online

Instituti EPIk ka përgatitur një infografikë, në të cilën janë paraqitur personat të cilët ky institut i konsideron përgjegjës për premtimin e parealizuar për liberalizim të vizave gjatë vitit 2018.

Komunikata e plotë:

“Kosova është duke hyrë në pjesën më të rëndësishme të vendimmarrjes që zhvillohet në kuadër të institucioneve të BE-së, lidhur me procesin e liberalizmit të vizave.

Siç kemi komunikuar si Instituti EPIK, kanë mbetur edhe 6 hapat deri në lëvizjen e lirë të qytetarëve. Pjesa kritike e këtyre hapave është votimi i plotësim ndryshimit të Rregullores 539/2001 nga ana e Këshillit të Bashkimit Evropian.

Po ashtu, bazuar në zhvillimet e kohës, EPIK pati komunikuar që nga muaji gusht se lëvizja e lirë për qytetarët tanë nuk mund bëhet këtë vit dhe njëkohësisht është argumentuar se skenari më pozitiv është që vendimmarrja për procesin e liberalizimit të vizave të përfundoj këtë vit, ndërsa qytetarët të lëvizin lirshëm në vitin 2019.

Së fundmi ky fakt u vërtetua edhe nga z. Peter Beyer, deputet gjerman nga CDU, anëtar i Komitetit të Punëve të Jashtme, dhe koordinator për Marrëdhëniet Transatlantike, në kuadër të MPJ-së gjermane.

Në ditët e fundit, zyrtarët e lartë të institucioneve kanë përdorur një gjuhë fajësuese dhe me elemente të urrejtjes etnike ndaj BE-së në rast mos-liberalizimit të vizave deri në fund të këtij viti.

Instituti EPIK i përcjellë me shqetësim këto deklaratat dhe rikujtojmë se asnjë përfaqësues i institucioneve të BE-së apo vendi anëtarë, asnjëherë, nuk ka dhënë afate kohore për liberalizimin e vizave. Janë vetë përfaqësuesit institucional të Kosovës të cilët kanë ofruar premtime të paqëndrueshme kohore për liberalizimin e vizave.

Prandaj, tendencat e udhëheqësve institucional për të hedhur fajin nga institucionet e BE-së janë të papranueshme.

Përgjegjësia për mos liberalizimin e vizave gjate vitit 2018 bie mbi lidershipin politik të këtij koalicioni qeverisës i cili ka dhënë premtime të papërgjegjshme dhe joreale.

Një gjë e tillë pasqyrohet më së miri në infografikën e bashkëngjitur.

Të ngjashme