Intensifikohen takimet për luftimin e korrupsionit, marrin pjesë vendës e ndërkombëtarë

Prishtinë | 23 Mar 2018 | 09:17 | Nga Valbona Bytyqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Nën kryesimin e kryeministrit të Republikë së Kosovës, Ramush Haradianj, është mbajtur takimi i gjashtë i nivelit të lartë të Sundimit të Ligjit, ku fokus i diskutimit të sotëm ishte puna e Këshillit Gjyqësor të Kosovës e prezantuar nga kryetari Nehat Idrizi dhe Gjykatës Supreme e prezantuar nga kryetari Enver Peci.

Kryeministri Haradinaj tha se Kosova është në fazën kur përpjekjet për sundimin e ligjit janë agjendë e përditshme dhe kështu do të jetë një kohë të gjatë, derisa kërkoi nga pjesëmarrësit që të angazhohen më shumë në arritjen e rezultateve dhe në rritjen e besimit të qytetarëve ndaj sistemit të drejtësisë në vend.

“Që nga krijimi i kësaj Qeverie, sot kemi mbajtur takimin e 6-të me radhë dedikuar kësaj fushe aq të rëndësishme në forcimin e shtetit tonë dhe rrugës tonë të integrimeve Euro-Atlantike. Sot, ne pamë nga afër rezultatet e punës në sistemin gjyqësor të Kosovës dhe Gjykatës Supreme. Sistemi i drejtësisë po tregon një përparim që dëshmon përkushtimin e institucioneve të Kosovës”, tha kryeministri Haradinaj.

Në takim u prezantuan të dhënat konkrete, ku u kuptua që gjykatat e të gjitha niveleve gjatë vitit 2017 kanë pasur në shqyrtim 618 991 lëndë, derisa janë zgjidhur 310 880.

Nëse krahasohet numri i lëndëve të bartura nga vitet e kaluara, Gjykatat në vitin 2017 kanë arritur t’i zvogëlojnë këto raste për 91016, që nënkupton rritje drastike të efikasitetit, 89% të aktakuzave kanë përfunduar me aktgjykime dënuese, janë shënjestruar 39 lëndë, për 29 lëndë janë ngritur aktakuzat.

Nga prezantimet e të arriturave u kuptua që në vitin 2017 janë zgjidhur 412 lëndë të korrupsionit, dhe se efikasiteti i zgjidhjes së lëndëve është përmirësuar dukshëm, ku nga mbi 60% ka rënë në 30% me shkallë të spastrimit me 145%.

“Ndonëse na presin edhe shumë sfida përpara, institucionet tona kanë shënuar rezultat në kryerjen e punëve të tyre dhe mbështetja ime dhe e Qeverisë do të jetë e pakompromis!”, theksoi kryeministri Haradinaj.

Në takimin e sundimit të ligjit morën pjesë edhe ministri i Financave, Bedri Hamza, ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ministri i Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Greg Delawie, shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova, shefja e EULEX-it, Alexandra Papadopoulou, si dhe përfaqësuesit e Prokurorisë, Gjyqësorit, të Policisë dhe të Doganës së Kosovës.

Në këtë takim, për sundim të ligjit dhe rendit, u tha se sundimi i ligjit vazhdon të mbetet sfidë për vendin dhe se po punohet me përkushtim për përmirësimin e gjendjes në këtë fushë.

Lexo më shumë:

Të ngjashme