INTERPOL-i, vetëm një dështim i radhës për politikën e jashtme të Kosovës

Prishtinë | 15 Tet 2019 | 17:17 | Nga Ekonomia Online

Kosova edhe këtë vit ka dështuar të bëhet pjesë e Organizatës Ndërkombëtare të Policisë, INTERPOL.

Kjo është bërë e ditur fillimisht nga raportimi i mediave serbe se Kosova ka tërhequr aplikimin për anëtarësim në këtë organizatë, e pastaj kjo është konfirmuar edhe nga kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj, shkruan lajmi.net.

“Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, duke marrë parasysh rrethanat e krijuara, bazuar në kompetencat e tij si kryeministër në detyrë dhe nga rekomandimi i Ministrisë së Punëve të Jashtme, sot ka kërkuar shtyrjen e votimit të Kosovës për anëtarësim në INTERPOL për vitin e ardhshëm”, thuhet në komunikatë.

E njohësi i integrimeve, Avni Mazreku e ka quajtur dështim të radhës së politikës së jashtme të Kosovës, tërheqjen e aplikimit në INTERPOL.

Mazreku është shprehur se Serbia ka pasur sukses në pengimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, ani pse shumë shpesh është tërhequr vërejtja se Kosva duhet të jetë më e kujdesshme në këtë pikë.

Definitivisht, e kemi thanë edhe në disa intervista për ju, që Kosova nuk është në pozitë të favorshme sa i përket marrëdhënieve me jashtë, Kosova në politikën e jashtme ka shënuar dështim pas dështimi”, tha Mazreku për lajmi.net.

Më tutje, Mazreku tha se politika e jashtme e Kosovës asnjëherë nuk e ka kuptuar rëndësinë e anëtarësimit në organizata ndërkombëtare.

“Serbia ka pasur sukses në pengimin e Kosovës në anëtarësimin e në organizatat ndërkombëtare që është edhe strategji kombëtare e Serbisë e që fatkeqësisht ka pasur sukses, çka në fakt, pavarësisht se ne, disa njerëz, duke përfshirë edhe mediumin e juaj kemi tërhequr vërejtjen qysh moti se Kosova duhet të fokusohet në këtë drejtim, Kosova duhet të fokusohet në forcimin e pozicionit të saj në arenën ndërkombëtare. Njerëzit që kanë qenë bartës të politikës së fushës së jashtme, asnjëherë nuk e kanë kuptuar rëndësinë e kësaj teme”, tha Mazreku.

Sipas Mazrekut, ky dështim duhet të jetë kushtrim dhe trumbetues që Kosova të kuptojë më në fund mënyrën se si sot konkludohet shteti dhe si matet sovraniteti i një vendi.

“Ky dështim duhet të jetë kushtrim, trumbetues që Kosova që kuptojë rolin dhe rëndësinë e anëtarësimit të shtetit në organizata ndërkombëtare. Sepse shteti nuk mund të konkludohet dhe të quhet i pavarur pa qenë pjesë e organizatave ndërkombëtare, sot sovraniteti i shtetit matet me anëtarësimin e një shteti në organizata ndërkombëtare”, tha Mazreku për lajmi.net.

Duke folur për hapat se cilat duhet t’i merr Kosova në raport me përmirësimin e gabimeve diplomatike që ka bërë në të kaluarën, Mazreku ka thënë se kjo ka dy hapa.

Sipas tij, së pari Kosova duhet të kuptojë rëndësinë dhe funksionimin e politikës së jashtme dhe pas kësaj të hartohet strategji efektive me anë të një konsensusi nacional.

Kosova duhet të kuptojë së pari, bartësit që kanë rol në institucionet përgjegjëse për politikën e jashtme duhet të kuptojnë si funksionon politika e jashtme e një shteti dhe rolin që kanë anëtarësimet në organizatat ndërkombëtare. Hapi i dytë, në raport me këtë të kuptuarit e situatës të ndërtohet strategji efektive se si Kosova arrin tër realizojë pavarësinë dhe prezencën në këto organizata. Duke filluar nga partitë që e formojnë qeverinë se kë e caktojnë ministër të punëve të jashtme, duhet të ketë konsensus nacional dhe nuk duhet të shihet si kontekst unilateral e një-partiak”, tha në fund Mazreku.

Kosova kishte dështuar edhe vitin e kaluar të anëtarësohet në INTERPOL pas fushatës së egër të Serbisë gjë që rezultoi me vendosjen e taksës 100 për qind për produktet serbe prej kur është ndërprerë edhe dialogu midis dy vendeve. 

Të ngjashme