Isa Mustafa e mohon se Richard Grenell ka kërkuar që të rrëzohet Qeveria Kurti 1

Prishtinë | 11 Nën 2021 | 16:29 | Nga Ekonomia Online

Ish-kreu i LDK-së, Isa Mustafa, deklaron se derisa ka udhëhequr me partinë asnjëherë nuk ka marrë porosi nga SHBA-të që të rrëzojë Qeverinë Kurti 1.

Ai ka thënë se Grenell ka kërkuar që të hiqet tarifa dhe të mos zëvendësohet me reciprocitet, ndërsa, sipas Mustafës, Kurti e ka rrëzuar vetë Qeverinë duke shkarkuar nga pozita e ministrit Agim Veliun.

Reagimi i Mustafës vjen pasi Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, ditë më parë ka deklaruar se Grenell, u kishte dhënë LDK-së 7 ditë kohë që ta rrëzojnë qeverinë Kurti 1.

“Po habitem me mendjelehtësinë e interpretimit të 7 ditëve, pesë ditëve,  e ditëve të trilluara dhe analizave që po iu bëhen në publik. Këta njerëz ose nuk i njohin SHBA-të ose janë të sëmurë kundër SHBA-ve”, shkruan Mustafa ndër të tjera.

Reagimi i tij i plotë:

z. Richard Grenell nuk ka kërkuar asnjëherë nga LDK, sa unë kam qenë Kryetar i saj, që të rrëzohet Qeveria Kurti 1. Nga askush nga SHBA, LDK s’ka marrë porosi të tilla dhe afate.

z. Grenell si përfaqësues i Presidentit të SHBA-ve për Kosovën  (jo si emër i përveçëm)  ka kërkuar nga ne që të hiqet tarifa e vënë nga Qeveria Haradinaj dhe që kjo tarifë të mos zëvendësohet me reciprocitetin, për ti dhënë shanse bashkëpunimit ekonomik në rajon dhe dialogut.

I kam shkruar z. Kurtit në atë kohë se nëse nuk respektohen kërkesat amerikane për tarifat dhe nuk bashkëpunohet me SHBA-të si partner strategjik atëherë LDK, posa të kalojë faza e COVID-it, do të del nga Qeveria. Jo se do ta rrëzojë Qeverinë por DO TË DEL NGA QEVERIA KURTI. Qëndrimi në një Qeveri të tillë e cila nuk bashkëpunonte me SHBA-të ishte i pakuptimtë dhe degradues për LDK-në.

Z. Kurti e rrëzoi vet Qeverinë me shkeljen e Marrëveshjes së koalicionit , kur e shkarkoi një ministër të LDK-së. Këtë e bëri me të vetmin qëllim për të krijuar shkas që të bie Qeveria.

Po habitem me mendjelehtësinë e interpretimit të 7 ditëve, pesë ditëve,  e ditëve të trilluara dhe analizave që po iu bëhen në publik. Këta njerëz ose nuk i njohin SHBA-të ose janë të sëmurë kundër SHBA-ve.

I falem zotit që jam gjallë dhe shëndosh nga mendja, për të mos lejuar spërkatje të tilla ndaj LDK-së  dhe partneritetit me SHBA-të derisa unë isha kryetar i saj. IM

Ish-emisari special për dialogun Kosovë – Serbi, Richard Grenell, është pyetur sot për pretendimet e Arben Gashit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, se a ka ndikuar në rrëzimin e Qeverisë Kurti vitin e kaluar.

“Gjithmonë kemi pyetje të njëjta prej mediave. Duhet të shikoni në të ardhmen, jam përgjigjur në këtë pyetje disa herë. Jo nuk kam thënë këtë, i kam shpjeguar liderëve në Kosovë në mënyrë të qartë, se cila ishte politika amerikane dhe se nuk do të shfrytëzojmë paratë e tatimpaguesve tanë të investojmë në politikë dhe programet të cilat qeveria e Kosovës po i minon me taksa prej 100 për qind.”

“I kam thënë liderëve të Kosovës në mënyrë të qartë se kjo nuk është politikë e mirë ekonomike dhe se ne këtë nuk do ta mbështesim, dhe ata vet kanë llogaritur se do të duhet të marrin vendime politike pa mbështetje të SHBA. Unë kurrë nuk kam propozuar çfarëdo vendimi politik”, ka shpjeguar Grenell në një paraqitje për media.

Të ngjashme