Isa Mustafa: Ende kam dyshime për mini-shengenin, asgjë personale me Ramën

Prishtinë | 17 Sht 2020 | 07:08 | Nga Ekonomia Online

Kreu i LDK-së, Isa Mustafa shprehet se, ende ka disa dyshime mbi idenë e mini-schengen që i ka shprehur dhe më herët dhe që kanë të bëjnë me krijimin e një mini-Jugosllavie dhe rritje të ndikimit rus në rajon. Z. Mustafa thotë se, gjithashtu ka vërejtje dhe për krijimin e një unioni doganor pasi Kosova nuk ka kufi në asnjë prej vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.

“Jo, ashtu siç shtrohej atëherë, veçmas nga Serbia, unë kam dyshuar dhe do dyshoj edhe sot që në qoftë se rrëshqasim atje, do të kemi probleme. Mirëpo ne do të jemi të kujdesshëm. Vërejtjet kryesore kam pas tek unioni doganor që nuk na përgjigjet ne që të bëjmë një marrëveshje t’unionit doganor, të vendeve të Ballkanit Perëndimor për arsye të pozitës gjeografike që ka Kosova tek Ballkani Perëndimor. Sepse jemi në mes të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe nuk kemi qasje me asnjë kufi të një vendi që i përket Bashkimit Evropian, prandaj dhe importi dhe eksporti por edhe sistemi doganor do të duhej të zhvillohej qoftë përmes Serbisë, përmes Shqipërisë, përmes Malit të Zi, përmes Maqedonisë së Veriut, e të tjera, që neve sna përgjigjet sepse pastaj e bëjmë një kalim të sovranitetit shtetëror te këto vende”, thotë kreu i LDK-së.

“Tek çështja e Minishengenit ne nuk e kemi të qartë akoma se çfarë nënkuptohet krejt me Minishengenin, çka nënkuptojmë ne si Kosovë, çka nënkupton Serbia, çka nënkupton Shqipëria, çka nënkupton Maqedonia e Veriut. Dëshiron edhe Mali i zi të aderojë këtu, e dëshiron pastaj edhe Bosnja, e të tjera”, ka shtuar më tej ish-kryeministri i Kosovës.

I pyetur nëse kanë qenë të ekzagjëruara kritikat ndaj Kryeministrit Edi Rama, Mustafa tha në Euronws Albania se ato s’kanë qenë në raport me të personalisht, por me idenë e minishengenit.

“Po tani nuk kemi pas, ne — as unë vetë, sepse unë vetë jam deklaruar, kam pas deklaratë mjaft eksplicite lidhur me atë. Asgjë s’kemi pas me kryeministrin Rama. Kemi pas me vetë konceptin e Minishengenit sepse kemi dasht që ky koncept të mos marrë formën e një shengeni ose minishengeni, përkatësisht të mos institucionalizohet sepse po ta institucionalizojmë atëherë duhet të organizohemi bashkarisht ose të kemi një sistem të organizimit i cili pastaj implementon këtë. Dhe vërejtjen e kemi bërë më tepër për natyrën e Minishengenit, jo se kryeministri Rama e ka përkrahur këtë dhe në fund kemi ardh dhe jemi pajtu edhe unë edhe kryeministri Rama se fjala është për Procesin e Berlinit dhe për atë çfarë ne jemi marrë vesh në Procesin e Berlinit”, tha ish-kryeministri i Kosovës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme