Isa Mustafa në Kryesinë e re të LDK-së i emëron dy veta me aktakuza

Prishtinë | 25 Gus 2019 | 13:54 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, shpalosi dhe para mediave 33 emrat e kryesisë së re të partisë.

Kryesia u zgjodh katër javë pas mbajtjes së Kuvendit zgjedhor të partisë në të cilin delegatët ia besuan Mustafës edhe mandatin e tretë në krye të partisë.

Kryesia e re e zgjeruar me 10 anëtarë më shumë se ajo e kaluara ka këtë përbërje: Agim Veliu, Kujtim Shala, Lutfi Haziri, Vjosa Osmani, Gazmend Muhaxheri, Haki Rugova, Ismet Beqiri, Imri Ahmeti, Anton Quni, Hykmete Bajrami, Avdullah Hoti, Muharrem Svarqa, Sokol Haliti, Vlora Dumoshi, Lumir Abdixhiku, Valon Murtezaj, Skender Hyseni, Brikenda Kryeziu, Fadil Krasniqi, Rrezeartë Krasniqi, Arban Abrashi, Mirjeta Kalludra, Besian Mustafa, Florian Dushi, Selim kryeziu, Doruntinë Maloku, Naser Osmani, Mybera Mustafa, Safet Kamberi, Lutfi Zharku, Lirije Kajtazi dhe Fidan Rekaliu.

Në këtë listë shihet se janë vendosur sërish emrat e dy personave që aktualisht kanë probleme me ligjin.

Nënkryetari aktual i LDK-së, Haki Rugova, i cili është njëherit edhe kryetar i komunës së Istogut, aktualisht është në një proces gjyqësor në gjykatën e Pejës, si i akuzuar për konflikt interesi.

Rugova po akuzohet se personalisht ka marrë pjesë në nënshkrimin e kontratës ‘Ndërtimi i Kanalizimit Fekal në Fshatin Cerrcë-Lubozhdë- Faza e Parë”, tender i cili iu ka besuar kompanisë “’MA-CON’ Sh.P.K, në pronësi të vëllait të tij, Gani Rugovës. Vlera e këtij tenderi ishte rreth 290 mijë euro.

Tjetër emër i akuzuar është edhe Naser Osmani.

Bashkë me ish-kryeministrin e Kosovës në ekzil, Bujar Bukoshi, dhe me Atdhe Gashin, deputeti i LDK-së Naser Osmani po akuzohet nga Prokuroria Speciale për fondet e tre-përqindëshit.

Në një aktakuzë tjetër rreth privatizimit të një fabrike në Podujevë, Osmani ishte liruar nga akuzat në shkurt të këtij viti.

Të ngjashme