Isa Mustafa: Osmani e Kurti kanë zgjedhur të komunikojnë me serbët në veri përmes njësive speciale

Prishtinë | 02 Qer 2022 | 10:16 | Nga Ekonomia Online

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, ka kohë që ka nisur turin e vizitave në komunat e vendit.

Ajo, nisjen e saj nga presidenca për në komunë po e bën në një mënyrë tjetër.

Në secilën që po shkon po iu drejtohet qytetarëve të vendit përmes një video live në profilin e saj në rrjetin social Facebook, shkruan Front Online.

E, një vizitë të tillë ajo do ta bëjë edhe në veriun e vendit.

Kështu kanë konfirmuar për FrontOnline nga presidenca gjatë ditës së djeshme.

Por, mënyrën e komunikimit të saj dhe të kryeministrit Albin Kurti, me qytetarët serbë po e kritikon ish-kryeministri, njëherit ish-bashkëpartiaku i presidentes Osmani, Isa Mustafa.

Mustafa në një prononcim për Front Online thotë se Osmani e Kurti mënyrën e vetme për të komunikuar me serbët në veri janë duke e bërë përmes njësive speciale.

“Do duhej të bëhen përpjekje për të komunikuar me institucione dhe qytetarë në veri dhe jo vetëm aty. Edhe në komunat në brendësi të vendit ku ka serbë. Me gjuhën, diskursin dhe metodat me të cilat po shërbehen Presidentja dhe Kryeministri nuk shoh mundësi që kjo të ndodhë. Kanë zgjedhë rrugë të gabuar, që me serbet të komunikojnë përmes njësive speciale”, ka thënë Mustafa.

Por, thotë se këto vizita që po bëhen me qytetarë, biznese, shkolla e çerdhe janë të nevojshme për çdonjërin.

Dhe, këtë e thotë për një arsye.

“Punët, që i përkasin pushtetit lokal ndërlidhen kryesisht me Qeverinë. Me buxhetin, rregullimin hapësinor, administratën, sigurinë. Nuk ka ndonjë fushë që institucioni i Presidentes mund ta rregullojë drejtpërsëdrejti. Por takimet në terren, me pushtetin vendor, me qytetarë, biznese, shkolla, çerdhe, shtëpi të shëndetit, organizata e objekte sportive ….janë të nevojshme për çdonjërin. Sepse iu shërben të korrigjojnë politikat joefektive”, është shprehur Mustafa.

Osmani, të martën e 1 qershorit, ka vizituar komunën e Pejës, e cila atje u prit nga kryetari, Gazmend Muhaxheri.

Të ngjashme