Isa Mustafa shpërfill gazin lotsjellës dhe thirrjet për dorëheqje

Prishtinë | 21 Shk 2017 | 10:26 | Nga
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, tha në një intervistë për BIRN se do t’i injorojë kërkesat e opozitës për zgjedhje të parakohshme për ta çuar mandatin deri në fund. Ai gjithashtu u bëri thirrje përfaqësuesve të serbëve të Kosovës të kthehen kah votuesit e tyre dhe ‘të mos bëhen’ pengje të politikave të Beogradit.

Në dy vitet e para të tij si kryeministër, Isa Mustafa ka parë pothuaj gjithçka. Protesta në rrugë për shkak apo në pritje të vendimeve të tij, gaz lotsjellës në sallë të Kuvendit si dhe një bllokadë disamuajshe politike e cila qytetarëve të vendit u ka kushtuar dhe po u kushton ende me izolim ndërkombëtar.

Megjithatë, në ditët kur vendi festoi nëntë vjetorin e shpalljes së pavarësisë, Mustafa tha për BIRN se nuk e ka ndërmend të largohet nga pozita pa i ardhur koha fundit normal të mandatit të tij në krye të qeverisë, në mes të vitit të ardhshëm.

“Në fakt kjo Qeveri që nga dita e parë është përballur me kërkesën për ta ndërprerë mandatin, kërkesë që shpesh ka ardhur edhe përmes gjuhës së gurëve, molotovëve apo gazit lotsjellës në Kuvend. Por, ne kemi arritur që t’i tejkalojmë këto kriza artificiale, ta shmangim kaosin dhe anarkinë dhe ta çojmë përpara agjendën e zhvillimit ekonomik, integrimet evropiane dhe zhvillimet tjera. Këtë e kemi bërë duke u mbështetur në legjitimitetin dhe legalitetin e qeverisjes, në vullnetin qytetar dhe të subjekteve pjesë të koalicionit. Nuk ka munguar as përkrahja e çmuar e partnerëve strategjikë”, tha Mustafa.

Në dhjetor të vitit 2014, Mustafa veproi kundër basteve kur lidhi marrëveshje koalicioni me rivalin e tij më të madh politik, Hashim Thaçin e PDK-së, për ta themeluar qeverinë e ardhshme të vendit. Duke e bërë këtë, ai theu shumë zemra opozitarësh të cilët shpresonin që kishte ardhur koha që pushteti i Thaçit t’i përkiste të kaluarës.

Pak javë pas zgjedhjes së tij si kryeministër, opozita soli në rrugë për të kërkuar shkarkimin e një ministri serb në qeverinë e tij i cili paraprakisht kishte përdorur fjalë fyese kundër protestuesve në Gjakovë që nuk po lejonin një grup serbësh të larguar nga ky qytet të ktheheshin në kishën e qytetit për t’i festuar Krishtlindjet ortodokse.

Skenat e dhunë su përsëritën shpesh gjatë vitit 2015 dhe 2016 kur opozita ndërmori një varg manifestimesh kundër marrëveshjes me Malin e Zi për demarkacionin e kufirit dhe asaj me Serbinë për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Mustafa thotë se ka bërë mjaftueshëm sa për ta marrë mbështetjen edhe të kundërshtarëve të këtyre dy marrëveshjeve, së fundmi duke themeluar një komision për matjen e territorit të vendit, ide e cila u refuzua nga opozita.

Një raport i këtij komisioni, pritet të dalë gjatë këtij muaji, ndërsa Mustafa thotë se ky raport do t’i dërgohet Kuvendit para se demarkacioni i kufirit me Malin e Zi të sillet në Kuvend për votim.

“Pas kësaj, deputetët e Kuvendit të Kosovës do ta kenë në dorë çështjen e ratifikimit të marrëveshjes për shënjimin e kufirit me Malin e Zi”, tha ai.

Votimi eventual i kësaj marrëveshjeje do të bëjë që Kosova ta kalojë pengesën e fundit në kushtin e vënë nga Bashkimi Europian për liberalizimin e vizave

“Ratifikimi i demarkacionit do t’u mundësojë qytetarëve lëvizje të lirë në vendet e BE-së, do të ketë ndikim substancial në forcimin e sovranitetit dhe integritetit territorial të shtetit përmes shënjimit të një kufiri ndërshtetëror, si dhe do të ketë efekte të rëndësishme për fuqizimin e mëtejmë të partneritetit strategjik me ShBA-të dhe vendet tjera të BE-së dhe më gjerë. Po ashtu, ky hap do të jetë kontribut për fuqizimin e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajon”, tha Mustafa.

Ai shtoi se tashmë është e qartë që Kosova i ka plotësuar “të gjitha kushtet për lëvizje të lirë”, përfshirë këtu edhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe se “ky proces varet vetëm nga ratifikimi i demarkacionit”.

“Andaj, askush nuk duhet t’i lejojë vetes që të mbajë të izoluar qytetarët për një kauzë politike dhe për përfitime elektorale”, tha Mustafa.

Duke folur për dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian, Mustafa tha se ky proces “ka prodhuar disa rezultate pozitive”.

Kur flet për rezultate, ai i referohet kodit telefonik ndërkombëtar që iu dha Kosovës muajin e kaluar dhe shpërbërjes së disave nga strukturat paralele të Serbisë që kanë operuar në Kosovë, sado që një muaj më parë u pa që raportet me Serbinë janë të nxehta kur Serbia nisi drejt Mitrovicës një tren me mbishkrimin “Kosova është Serbi”

“Është e vërtetë që së fundi jemi ballafaquar me disa tensione të cilat u krijuan nga provokimet e njëpasnjëshme që u bënë nga Serbia, por të cilat u menaxhuan me mençuri dhe vendosmëri. Sa i përket formatit të dialogut, vlerësoj se ka hapësirë që të pasurohet në përputhje me dinamizmin e këtij procesi”, tha ai.

Tani Mustafa thotë që dialogu ka hyrë në fazën e fundit.

“Mendoj se kemi hyrë në fazën përmbyllëse të dialogut dhe se ai duhet të jetë më produktiv, me afate dhe caqe më të qarta. Ka hapësirë që pala jonë të jetë më gjithëpërfshirëse, të ketë përfaqësues të opozitës, të shoqërisë civile dhe që të përfundoj së shpejti me njohjen e domosdoshme nga Serbia”, shtoi kryeministri i Kosovës.

Por derisa kryeministri kërkon kufij për dialogun me Serbinë, komunikimi i brendshëm me liderët serbë në partnerin e vogël të koalicionit, Lista Serbe, mbetet i thyer edhe disa muaj pas bojkotit që erdhi si pasojë e miratimit të Ligjit për Trepçën në Kuvendin e Kosovës.

Lista Serbe e dëshiron ligjin të anuluar dhe kërkon të përshpejtohet themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe si kusht për rikthimin e tyre në institucione.

Por Mustafa thotë se nuk e kupton këtë bojkot.

“Unë se di çfarë janë duke pritur. Çdo arsye që mund ta kenë pasur tashmë nuk ekziston. Mendoj se ata janë peng i politikës dhe fushatave elektorale në Beograd, sepse ndryshe as nuk do të kishin ngrirë fare pjesëmarrjen në institucione”, tha ai.

Mustafa shtoi se pret që përfaqësuesit serbë të kthehen shpejt sepse “çdo ditë e humbur nuk shkon në favor të qytetarëve që ata i kanë votuar”.

“Andaj, u takon atyre të vlerësojnë se deri kur do ta lejojnë një situatë të tillë, që interesat e qytetarëve serbë që jetojnë në Kosovë, të jenë peng i interesave politike, elektorale të politikanëve në një shtet tjetër”, tha Mustafa.

Me më pak se 15 muaj deri në fund të mandatit, Mustafa duket i se nuk e ka ndërmend t’i dëgjojë thirrjet e opozitës për të dhënë dorëheqje.

“Vullneti i përgjithshëm është që ky koalicion të vazhdojë pasi që ka edhe shumë tema të rëndësishme që duhet të kryhen, si zhvillimi i mëtejmë i vendit, liberalizimi i vizave, transformimi i FSK-së, të cilat do të stagnonin dhe prolongoheshin gjatë nëse hyjmë në procese zgjedhore”, tha ai.

Analistët kanë parashikuar që koalicioni në bazë të të cilit Mustafa qëndron në krye të qeverisë mund të goditet nga aktakuzat eventuale të Gjykatës Speciale ndaj ish krereëve të UÇK-së.

Kryeministri Mustafa nuk flet shumë për këtë gjykatë, përveç se thotë që Kosova ka bërë gjithçka që i është kërkuar në rrugën e themelimit të këtij institucioni.

“Jam i bindur se Kosova i ka kryer obligimet e saj dhe do ta tejkalojë me unitet edhe këtë proces ku do të konfirmohet drejtësia e luftës sonë çlirimtare dhe njëkohësisht do të adresohen raste individuale që në asnjë formë nuk e cenojnë këtë luftë të drejtë të një populli për të mbrojtur pragun e shtëpisë dhe për të fituar lirinë, pavarësinë dhe demokracinë”, thotë ai.

Pavarësisht sfidave me të cilat është përballur vendi në nëntë vitet si shtet dhe ai vetë në dy vitet në krye të qeverisë, Mustafa thotë se arsye për festë në ditët e përvjetorit të shtetit ka pasur mjaft.

“Jam i bindur se qytetarët e Kosovës, kanë shumë arsye për t’u krenuar në këtë përvjetor të 9-të të pavarësisë. Ka progres evident në shumë aspekte. Brenda vendit kemi shënuar të arritura të mëdha, që lidhen me fuqizimin e institucioneve dhe të shtetit”, tha ai duke numëruar çështjet që nga rritja e buxhetit e deri te fitoret e vlerësimet ndërkombëtare në kosovarëve në sport e kinematografi.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme