Ish-ambasadori amerikan përcjell fjalët e Vuçiqit: I gatshëm të bisedojë, por jo të nënshkruajë marrëveshje

Prishtinë | 23 Sht 2019 | 14:14 | Nga Ekonomia Online

Ish-ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd, Cameron Munter, thotë se presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, është i gatshëm për të zhvilluar bisedime me Kosovën por jo edhe për të nënshkruar një marrëveshje.

Këtë konstatim Munter e ka nxjerrë pas takimit që ka pasur me kreun e shtetit serb gjatë vizitës disaditore në Beograd, ku ka takuar edhe zyrtarë të tjerë shtetërorë, përfshirë këtu edhe shefin e diplomacisë serbe, Ivica Daçiq, shkruan Gazeta Express.

Në një intervistë për ‘Danas’, Munter ka thënë se presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, është i interesuar që të ndihmojë dy palët që të ecin drejt një marrëveshjeje, pa përjashtuar ndihmën që mund të japin Gjermania e kancelares Merkel dhe Franca e presidentit Makron.

Teksa ka ndarë detaje për takimin me Vuçiqin, Munter ka thënë se kanë biseduar për perspektivën e dialogut dhe rreth asaj se çfarë negociatash mund të priten në muajin dhjetor.

“Meqenëse bisedimet kanë ngecur, ne nuk folëm për atë që ka ndodhur në të kaluarën, por folëm më shumë për planet dhe për perspektivën e dialogut Kosovë-Serbi dhe çfarë lloj dialogu do të mund të kemi në dhjetor, mbase mund të zgjidhim disa prej çështjeve. Sigurisht që nuk e dimë se kush do ta përfaqësojë Kosovën, por e dimë që presidenti Vuçiq është i interesuar. Ne gjithashtu duam të sigurohemi që amerikanët dhe evropianët të jenë të përfshirë. Ne jemi të shqetësuar për disa gjera të cilat s’kishin ekzistuar para dhjetë vjetësh kur unë isha ambasador. Kinezët janë këtu, turqit gjithashtu janë të interesuar, rusët po ashtu kanë një grup idesh të ndryshme. Ne duhet të kuptojmë pozicionin e secilit, sepse kjo është në planin tonë afatgjate”, ka thënë Munter në cilësinë e kreut të Institutit East-West.

I pyetur nëse Vuçiq ia ka prezantuar ndonjë plan për Kosovën gjatë takimit, Munter ka mohuar një gjë të tillë, pasi siç ka thënë ai nuk ka qenë një debat i tillë.

“Jo, nga mënyra se si kemi diskutuar nuk ka pasur diçka të tipit “ky është plani im”, por cila metodë mund të jetë më e përshtatshme. Kemi folur për planet afatgjate, dhe cilat janë problemet e zakonshme”, ka thënë Munter për “Danas”, transmeton Gazeta Express.

Përveç tjerash Munter-it i është kërkuar edhe të japë sqarime rreth deklarimeve të bëra në televizionin N1, ku ka folur për nevojën e një “diplomacie të fshehtë”, dhe është pyetur nëse ka negociata sekrete për zgjidhjen e problemit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Kur shohim se ka një diplomaci të hapur, atëherë situata është e qetë. Por kur shohim se ka diçka sekrete, atëherë njerëzit ngacmohen sepse mendojnë që ka ndonjë lloj plani. Por unë nuk punoj për qeverinë, e as nuk e  di nëse ka ndonjë lloj plani sekret. Por unë e di se ka nevojë për “biseda të qeta’, ku njerëzit përpiqen që të vijnë në tryezë dhe të japin idetë”, është shprehur Munter.

Ai ka thënë se në debatin publik që është bërë, liderët e dy shteteve, Kosovës dhe Serbisë, kanë folur rreth asaj se nëse japin diçka atëherë çfarë do të marrin në këmbim, dhe se deklaratat kanë qenë rreth asaj se kush do të dal fituese dhe kush do të humbas.

“Nëse i diskutojmë në heshtje idetë, mund të jetë më mirë për dy palët, por jo edhe për fqinjët. Diplomacia e heshtur lejon njerëzit që të ndërtojnë një besim, të eksplorojnë rreth ideve, dhe pastaj të kthejnë ato në një marrëveshje të vërtetë. Kjo është ajo që shpresoj”, ka sqaruar tutje Munter.

Munter në këtë intervistë është pyetur edhe rreth vizitës së dy senatorëve amerikanë, Chris Murphy dhe Ron Johnson, dhe deklaratave të tyre rreth asaj se Vuçiq është i gatshëm të nënshkruajë një marrëveshje.

“Interesante, nuk nuk kam marrë pjesë në ato takime, kështu që nuk kam informacione se çfarë ka thënë Vuçiq, por ajo që unë di është që Vuçiq është i gatshëm të flasë, por jo edhe të nënshkruajë marrëveshjen. Unë mendoj se Vuçiq është i gatshëm të flasë, sepse ai e di që e ardhmja e Serbisë është e ndërlidhur në thelb me të ardhmen e Kosovës. Nuk shkojnë pa njëra tjetrën”, ka thënë ish-diplomati amerikan, transmeton Gazeta Express.

Në këtë intervistë Munter është pyetur edhe rreth asaj nëse ish-presidenti amerikan, Bill Clinton, është i përfshirë në negociata, pas vendimit të Serbisë për t’i dhuruar 2 milionë dollarë fondacionit të tij.

“Ka shumë njerëz, siç është edhe ish-presidenti Clinton, që do të ishte një gjë ideale të përfshihej në bisedimet me Kosovën, por nuk di asgjë për diçka të tillë”, ka thënë Munter.

Në fund derisa ka folur për vendimin e Sekretarit Amerikan të Shtetit, për emërimin e Matthew Palmer në pozitën e Përfaqësuesit Special për Ballkanin, Munter ka thënë se Palmer është një person i cili e njeh rajonin dhe që do të ndihmojë procesin.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme