Ish-ambasadori: Është krijuar përshtypja se Gërvalla shkoi në Mynih për të marrë shënime

Prishtinë | 21 Shk 2022 | 19:04 | Nga Ekonomia Online

Ish-ambasadori i Kosovës në Bruksel, Bernard Nikaj, ka thënë se pjesëmarrja e përfaqësuesve të një shteti në konferenca si ajo e Sigurisë në Mynih nuk matet me numrin e takimeve, por me kualitetin e tyre.

Në Info Magazine të Klan Kosovës, ai e ka komentuar postimin e kryeministrin Albin Kurti, i cili ka thënë se atje i zhvilloi për tre ditë me radhë 17 takime me përfaqësues të vendeve tjera.

“Duhet të kemi parasysh që Kosova në këtë konferencë ka marrë pjesë në nivelin më të lartë shtetëror, në kuadër të përfaqësimit të politikës së jashtme, do të thotë që kemi pasë presidenten, kryeministrin dhe ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës”,ka thënë Nikaj.

“Nëse i shohim takimet që i ka përmendur kryeministri në postimin e tij, nuk janë të një nivelit të një përfaqësimi të tillë. Posaçërisht, nëse e kemi parasysh me nivelin e pjesëmarrjes nga vendet tjera që kanë qenë në konferencë, do të thotë se SHBA-të janë përfaqësuar nga zëvendëspresidentja, ndërsa delegacioni i ynë i përfaqësuar nga presidentja ka takuar vetëm një senatore të IOËA-së, atëherë përfaqësimi dhe niveli i takimeve nuk ka qenë i duhur”.

“Krijohet përshtypja se për një numër të takimeve në të cilët ne jemi përfaqësuar në nivelin më të lartë kemi takuar njerëz që kanë qenë të nivelit të ministres së Jashtme apo vetëm kryeministrit, nuk kemi pasë nevojë për një dublifikim të tillë”.

Nikaj takimet e zhvilluara nga Kosova në Mynih i ka quajtur si kurtuazie, duke shtuar se do të mjaftonte të shkonte vetëm kryeministri me një delegacion të tij.

“Nëse i shohim panelet në të cilat ka marrë pjesë kryeministri ka mundur të marrë pjesë vetëm ministrja e Punëve të Jashtme. Ato kanë qenë panele të temave të përgjithshme ku edhe ndonjë përfaqësues akademik do të mund të jepte opinionin e vet në përgjithësi”.

“Nga fotografit që kemi parë dhe ato informacione që kemi, krijohet përshtypja që ministrja e Jashtme më tepër kishte shkuar për të marrë shënime nëpër këto takime, se sa ka pasë ndonjë rol të caktuar në këtë konferencë. Ajo nuk pati asnjë takim bilateral të vetin me asnjë homolog të saj, por ka shkuar të marrë pjesë në takimet e kryeministrit dhe presidentes”,ka thënë Nikaj.

Të ngjashme