Ish-ambasadori i Kosovës në Vatikan: Donika Gërvalla premtuese, debati për ambasadën në Jerusalem i mbyllur

Prishtinë | 01 Pri 2021 | 19:15 | Nga Ekonomia Online

Ambasadori karrierës, Anton Berisha, ka komentuar deklaratën e Donika Gërvalla, ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, rreth Ambasadës së Kosovës në Jerusalem.

Ish-ambasadori i Kosovës në Slloveni e Vatikan, në intervistën për Reporteri.net tha se çfarëdo hapje e debatit karshi vendndodhjes së Ambasadës kosovare në Jerusalem është aventurë e rrezikshme.

“Unë, e kam përshëndetur publikisht qëndrimin e ministres z. Gërvalla se çështja e ambasadës në Izrael është një çështje e mbyllur, dhe më vjen mirë që ajo ka thënë atë çfarë unë e kam theksuar vazhdimisht se hapja e çfarëdo debati për këtë çështje është një aventurë e rrezikshme për ne”, tha Berisha për Reporteri.net.

Berisha, që tash është pjesë e LDK-së, tha se njohja e Izraelit është arritje e madhe e Kosovës.

Ish-anëtari i AAK-së tha se Kosova nuk mund t’i prishë marrëdhëniet me Izraelin për shkak të Palestinës.

“Njohja nga Izraeli ka qenë arritja më e madhe diplomatike e Kosovës në vitet e fundit, mbase në dekadën e fundit dhe debati i hapur ka qenë krejt i panevojshëm. Natyrisht, ne nuk mund të heqim dorë prej një aleati me peshë botërore çfarë është Izraeli për hirë të Palestinës, e cila vazhdon ta konsideroj Kosovën si pjesë të Serbisë, e duke qenë ndër më të zëshmet edhe në përmasa botërore”, tha Berisha për Reporteri.net.

Sipas Berishës, paraqitjet e para të Gërvallës janë premtuese.

“Mendoj që paraqitjet e para të zonjës Gërvalla janë premtuese. Së pari, ajo është deklaruar qartë sa i përket rrugës euroatlantike të Kosovës, së dyti, sa i përket organizimit të brendshëm ajo ka bërë të qartë se ligji dhe cilësia do të jenë kriteret kryesore që do të aplikohen”, tha Berisha.

“Sa i përket Turqisë, kundërshtimi i saj ishte konkret, që kapërcen normat diplomatike në komunikimin e dy shteteve të pavarura dhe më shumë i përngjante një trajtim të Kosovës të formatit të një Vilajeti”, tha Berisha për Reporteri.net.

E sipas ish-zëvendësministrit të MPJ, që tash është pjesë e LDK-së, hapja e ambasadës në Jerusalem nuk do të shkaktoj asnjë lëndim në marrëdhëniet e Kosovës me BE-në.

Të ngjashme