Ish-ambasadori: Rruga e për në BE e sigurt, Qeveria e re të fokusohet për anëtarësim në organizata ndërkombëtare

Prishtinë | 13 Mar 2021 | 07:37 | Nga Erdonita Hebibi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ish-ambasadori i Kosovës në Austri, Sabri Kiçmari, në një intervistë për Ekonomia Online tha se rruga e Kosovës drejt Bashkimit Evropian është e sigurt, por që procesi i integrimit në këtë institucion është i komplikuar dhe afatgjate.

Tutje, ai tha se Qeveria e re duhet të fokusohet në inicimin e pranimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, duke e përmendur veçanërisht Organizatën Botërore të Shëndetësisë, pasi për t’u pranuar në këtë organizatë kërkohet aprovimi i një shumice të thjesht.

“Ndërsa sa i përket procesit të integrimit të Kosovës në kuadër të BE-së është proces më afatgjatë e më i komplikuar, kërkohet sigurisht një numër i madh i reformave që duhet të ndodhin duke filluar nga zhvillimi ekonomik, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, pra janë një numër i madh i çështjeve që mbeten për t’u rregulluar, para se Kosova të pranohet në BE, sepse ky pranim nuk është mujor, është vjetor pra do të ndodh pas shumë viteve dhe nuk e di saktë as unë se sa do zgjasë një proces i tillë, por ajo që është me rëndësi është rruga e Kosovës drejt BE-së është e sigurt”, tha Kiçmari.

“Ka një dakordim të kryeministrit në detyrë më 4 shtator të vitit të kaluar për një monatorium një vjeçar, mendoj që ai vendim ka qenë paksa nën rrethana të shpjegueshme me rastin e atij takimi që rezultoi me katër dokumente, ne po ju themi marrëveshje por nuk janë marrëveshje, nuk janë as marrëveshje bilaterale as trelaterale janë katër letra të ndryshme, pra nuk kemi akte ndërkombëtare të nënshkruar nga dy ose tri shtete dhe realisht nuk janë marrëveshje. Besoj që shumë shpejtë mund të iniciohet pranimi në disa organizata ndërkombëtare, psh në Organizatën Botërore të Shëndetësisë, parakushtet e Kosovës janë të plota dhe kërkohet vetëm shumica e thjeshtë të cilën e kemi dhe realisht gjëja  e parë që do duhej të bënte qeveria e re do ishte inicimi i Kosovës në këtë organizatë”, theksoi ai.

Çështjen e liberalizimit të vizave po e sheh si shumë problematike dhe jo më për fajin e Kosovës por për faj të disa shteteve të BE-së që po e pengojnë këtë proces.

“Çështja e liberalizimit është një çështje problematike jo më për fajin e Kosovës por janë dy vende ose edhe më shumë të Bashkimit Evropian që për arsye të tyre të brendshme nuk po lejojnë që të pranojnë hapjen e kufijve për qytetarët e Kosovës, gjë që është e padrejtë. Kosova i ka përmbushur kriteret e kërkuara, por janë dy vende në këtë rast Franca dhe Holanda që kanë qëndrime më të ashpra për mos dhënien e të drejtës për qytetarët e Kosovës për të lëvizur. Mendoj që qeveria e re dhe shpresoj shumë që kjo qeveri do jetë argumentuese dhe bindëse që edhe këto dy vende të lëvizin drejt pranimit të qytetarëve pra që të lëvizin pa viza në ato vende”, u shpreh tutje Kiçmari.

Lidhur me procesin e njohjes së Kosovës nga shtetet tjera, janë shtete të BE-së dhe që qëndrimet e tyre janë të ndryshme dhe  sipas Kiçmarit, Ministria e Jashtme duhet  të angazhohet që këto qëndrime e Kosvës t’i argumentojë bindshëm.

“Shtetet që nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës janë të ndryshme, pra janë shtete të rajonit, Serbia, Bosnja dhe Greqia janë shtetet  brenda BE-së, dhe qëndrimet e tyre janë të ndryshme, sigurisht disa nga vendet arabe ose që kanë shumicë të banorëve arabë nuk është se i janë gëzuar faktit që ne kemi hapur ambasadë në Jerusalem, ndërsa disa vende tjera mund që ta shfrytëzojnë këtë si argument që ja Kosova është ndër vendet e para që nuk mban linjë religjioze që shumica e banorëve tanë këtu janë myslimanë, por krijon marrëdhënie të mira me Izraelin. Pra mund të ketë edhe reflektime pozitive edhe negative, ajo çka duhet të bëjë Ministria jonë e Jashtme është që të angazhohet që këto qëndrime t’i balancojë përkatësisht t’u shpjegojë diplomatëve të tyre qëndrimin tonë ta argumentojë bindshëm me durim dhe me takt diplomatik , dhe jam i sigurt që përfitimet do të jenë të ndjeshme”, tha Kiçmari.

Të ngjashme