Ish-inspektori i AKI-së thotë se s’kishte shkelje të ligjit nga AKI në rastin e deportimit të 6 shtetasve turq

Prishtinë | 05 Maj 2022 | 17:30 | Nga Ekonomia Online

Ish-inspektori i përgjithshëm në Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI), Shkëlzen Sopjani, tha se në bazë të shkresave të dosjes, kanë ardhur në përfundim se nuk ka pasur shkelje të Ligjit të AKI-së apo tejkalim të mandatit nga AKI-ja, në rastin e deportimit të gjashtë shtetasve turq nga territori i Kosovës.

Këtë deklarim, Sopjani e bëri në seancën e së enjtes, në gjykimin për korrupsion ndaj ish-shefit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Driton Gashi, ish-drejtorit të Departamentit për Shtetësi, Azil dhe Migracion në Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB), Valon Krasniqi, si dhe drejtorit të DMH-së, Rrahman Sylejmani, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Fillimisht, dëshmitari tregoi se përgjegjësi e inspektorit të përgjithshëm sipas Ligjit të AKI-së, janë kryesisht inspektimet, auditimi dhe hetimi i ankesave ndaj punonjësve të AKI-së.

Tutje, duke u përgjigjur në pyetjet e prokurores speciale Habibe Salihu, sqaroi se rastin për deportimin e gjashtë shtetasve turq e kishte kuptuar fillimisht prej medieve dhe se të nesërmen e asaj dite, me kërkesë për sqarim të rrethanave të kryeministrit të atëhershëm, Ramush Haradinaj, kishte filluar një raport inspektimi, të cilin inspektim e kishte udhëhequr ai.

Sopjani tutje tha se në këtë inspektim ishte punuar deri në orët e vona për rreth 3-4 ditë, ku sipas tij ishin shikuar ishin intervistuar zyrtarët e AKI-së, që kanë ditur ose kanë mundur të dinë informata relevante për rastin në fjalë.

“Si rezultat kemi përpiluar edhe raportin, të cilin ia kemi dorëzuar kryeministrit”, tha Sopjani.

Kurse, lidhur me rekomandimet e inspektimit, dëshmitari tha se këto janë informacione të klasifikuara të nivelit sekret dhe ato informata mund të zbulojnë metoda, të cilat sipas Ligjit të AKI-së, nuk mund të zbulohen në asnjë rrethanë, posaçërisht sipas tij, në rrethana ku ka qasje edhe publiku.

“Për më tepër, për shkak të pozitës së tanishme time, në asnjë rrethanë unë nuk mundem me i bë publike ato. Po e potencoj faktin që raporti nuk ka rezultuar me shkelje të ligjit”, deklaroi dëshmitari.

Sopjani tha se rasti ishte për personat që kanë qenë subjekt për shkak të rrezikimit të sigurisë kombëtare, duke përfshirë edhe ushtrimin e ndikimit në strukturat e sigurisë së Republikës së Kosovës (RKS) dhe këto sipas tij, kanë rezultuar në bazë të hetimit dhe të gjitha shkresave që kanë qenë në dosje.

I njëjti tha se sipas Ligjit të AKI-së, operacionet udhëhiqen nga drejtori i AKI-së ose zëvendësdrejtori, por tha se është kompetencë ekskluzive e drejtorit të AKI-së.

Më pas, ndonëse prokurorja Salihu insistoi që të di se cilat veprime konkrete të personave të deportuar kanë përbërë rrezik për sigurinë kombëtare, dëshmitari përsëri theksoi se për shkak të konfidencialitetit nuk mund të lëshohet në veprime konkrete.

Ai theksoi faktin se sipas ligjit të AKI-së, i vetmi institucion i cili bën vlerësimin e rrezikshmërisë së sigurisë kombëtare është AKI.

Kurse, duke u përgjigjur në pyetjet e përfaqësuesit të palëve të dëmtuara, avokatit Leotrim Syla, nëse është verifikuar se a janë dëbuar të gjithë personat për të cilët është përpiluar raport, dëshmitari tha se nga ana e tyre është bërë vlerësimi i rrezikshmërisë të cilën e ka dhënë AKI dhe nuk ka informata përtej AKI-së.

“Inspektimi ka qenë gjithëpërfshirës i AKI-së, brenda AKI-së dhe që ndërlidhet me AKI’’, tha ai.

Avokati Syla pyeti dëshmitarin se inspektimi a është zhvilluar për zyrtarët e AKI-së nga mbledhja e informacioneve e deri në dorëzimin e personave në aeroplan të autoriteteve turke, e dëshmitari sërish dha përgjigjen e njëjtë se hetimi është bërë vetëm për AKI dhe që ndërlidhet me AKI.

Po ashtu, avokati Syla ka pyetur të njëjtin në kuptimin hierarkik për kontaktin në mes të drejtorit të AKI-së, Policisë së Kosovës dhe Departamentit për Shtetësi, Azil dhe Migracion (DSHAM) në MPB, por që sërish dëshmitari ka thënë se është i kufizuar me ligj.

“Nëse nuk gaboj neni 25, na kufizon me e diskutua metodat, burimet, veprimet e një operacioni, ti je tu i lyp këto, më vjen keq’’, tha dëshmitari Sopjani.

Por që avokati Syla ka thënë se këto nuk janë pyetje për zbulim të informacionit, pasi sipas tij edhe policët në këtë gjykim kanë dhënë informata për takime apo mostakime, prezencë apo mosprezencë.

Kurse lidhur me këtë, dëshmitari Sopjani lexoi dispozitat e nenit 32 dhe 33 të Ligjit të AKI-së.

“Neni 32 – për mbrojtjen e burimeve dhe informacionit tjetër – AKI do jetë i përjashtuar nga dispozitat e cilitdo ligj që kërkojnë shpalosjen e organizimit, funksioneve, emrave, titujve zyrtar. Neni 33 – punonjësit e AKI-së duhet të mbrojnë informacionin e klasifikuar. Obligimin për ta mbrojtur këtë fshehtësi nuk pushon kur punonjësi nuk është i punësuar më në AKI’’, tha ai.

Ndërkaq, i pyetur nga mbrojtësi i të akuzuarit Driton Gashi, avokati Florent Latifaj nëse drejtori i AKI-së ka qenë i obliguar ta njoftojë kryeprokurorin për këtë rast, dëshmitari Sopjani tha se me sa ka njohuri, drejtori nuk e ka pasur këtë obligim.

“Nuk do të thotë rrezikimi i sigurisë kombëtare të ndërlidhet vetëm me vepra penale”, tha ai.

Duke u ndërlidhur me këtë, prokurorja Salihu në rimarrje në pyetje, e pyeti dëshmitarin për rastet kur duhet të lajmërohet kryeprokurori e kur jo, e që ai tha se këto janë të përcaktuara me ligjin e AKI-së, por në rastet kur ka vepër penale njoftohet kryeprokurori, e që sipas tij ndodh se rrezikohet siguria kombëtare pa rezultuar me vepër penale.

I pyetur nga anëtarja e trupit gjykues, gjykatësja Suzana Çerkini, dëshmitari tha se nuk e di a kanë qenë javë apo muaj, koha që këta persona janë paraqitur si persona me rrezikshmëri për siguri kombëtare sipas shkresave të AKI-së.

Kurse, i pyetur nëse AKI kur persona të tillë paraqesin rrezikshmëri, duhet të vazhdohet me deportim menjëherë apo të pres, ai tha se kjo është çështje operacionale dhe duhet të vlerësohet rast për rast.

Dëshmitari Sopjani tha se zyrtarët e AKI-së për të dëshmuar, duhet të paraprakisht të marrin leje të veçantë nga drejtori i AKI-së si dhe pëlqim edhe për natyrën e informacionit që mund t’i shpalosin në gjykatë, përndryshe sipas tij mund të akuzohen për zbulim të informacioneve sipas Ligjit të AKI-së.

Në këtë seancë, ka dhënë dëshminë e tij edhe Lulzim Ejupi, ish-sekretar i përgjithshëm në MPB, ku tha se lidhur me largimin e gjashtë shtetasve turq, fillimisht ishte njoftuar përmes medieve.

Duke u përgjigjur në pyetjet e prokurores Salihu, i njëjti tha se kishte qenë i ftuar në një takim nga ish-ministri Flamur Sefaj së bashku me drejtorin e DSHAM-së, tani të akuzuarin Valon Krasniqi.

“Ministri na ka njoftuar se ka ardhur një shkresë nga AKI, mandej aty e kemi marrë vesh që kërkesa ka të bëjë për Divizion për të Huaj në kuadër të DSHAM”, shtoi ai.

Tutje, dëshmitari Ejupi tha se atë shkresë nuk e kishte parë dhe se përveç që shkresa kishte të bëjë me shtetas të huaj, nuk kishte pasur të tjera informacione.

Po ashtu, dëshmitari Ejupi tha se tani i akuzuari Krasniqi kishte dërguar një shkresë te departamenti i zyrës ligjore lidhur me vendimin për shtetasit e huaj që e kishte marrë divizioni për të huaj.

“Në mënyrë që vendimi që është marrë nga divizioni për të huaj a ka qenë i bazuar në legjislacionin në fuqi, me sa më kujtohet ka qenë në kopje fizike, ku unë kam qenë në cc’’, shtoi Ejupi.

E pyetur nga prokurorja Salihu se a kërkohet të bëhet ky vlerësim para apo pas ekzekutimit të vendimeve, ai tha se shumicën e herëve kjo nuk kërkohet fare, por që mund të kërkohet si para ashtu edhe pas ekzekutimit të vendimeve.

I njëjti tha se arsyeja e largimit të këtyre personave kishte qenë se të njëjtit nuk i kishin plotësuar kushtet për të qëndruar në shtetin e Kosovës, pasi ishte revokuar leja e qëndrimit të tyre, duke shtuar se ai personalisht nuk është përgjegjës për të vlerësuar rrezikshmërinë.

Të ngjashme