Ish-këshilltari i Jahjagës: Pozita e Presidentit kërkon të jetë simbol i unitetit mbipartiak

Prishtinë | 06 Pri 2021 | 18:54 | Nga Ekonomia Online

Ardian Prenkaj, ish-këshilltar i ish-presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, ka folur rreth pranimit të detyrës së Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadiru.

Prenkaj në Info Magazine në Klan Kosova tha se po të mos ishte pandemia Osmani do të pranonte detyrën me një ceremoni të mirë inaugurimi.

“Si rezultat i pandemisë ky pranim i detyrës nuk ka mundur të organizohet më ndryshe, do të ishte më mirë që të kishim një ceremoni inagurumi që kemi pas në vitin 2016, ku kishin mundur të jenë të ftuar shumë njerëz. Në rrethanat që është zhvilluar mendoj se ka qenë ceremoni shumë e mirë”.

“Është një moment besoj emocional për të gjithë qytetarët pasi po inaugurohet shefja e shtetit e cila luan rol të rëndësishëm në unitetin e shtetit”, tha Prenkaj.

Prenkaj foli edhe për mospjesëmarrjen e liderëve opozitarë në ceremoni.

“Mendoj që partitë opozitare gjithmonë kanë qëndrimet e tyre por në këtë rast mendoj se do të duhej të ishin prezent pasi kemi një presidente që është zgjedhur në bazë të Kushtetutës së Kosovës. Partitë që nuk kanë marrë pjesë në votimin e saj në Kuvend besoj që i kanë pasur arsyet e tyre, mirëpo tani ajo ka dhënë dorëheqje nga të gjitha funksionet partiake dhe mendoj që prezenca e gjithë partive opozitare do të ishte e rëndësishme”.

Prenkaj mes tjerash bëri dallimin mes Jahjagës që nuk vinte nga partitë politike dhe Osmanit si më e votuara në zgjedhjet e 14 shkurtit.

“Zonja Osmani vjen në pozitën e presidentes me një legjitimitet shumë të madh politik. Por kjo pozitë kërkon që presidenti i shtetit të jetë simbol i unitetit mbi partiak”.

“Mendoj që zonja Jahjaga e ka definuar rolin e saj si presidente duke e zbatuar në përpikmëri Kushtetutën dhe procedurat kushtetuese përderisa zonja Osmani pavarësisht “background-it” politik duhet të ketë përpara Kushtetutën”.

“Një rol esencial i presidentit është të zbatojë kontrollin dhe balancin e pushteteve. Në këtë rast të sigurohet që kontrolli dhe balanci i pushteteve të jetë i zbatueshëm”.

“Zonja Jahjaga si një presidente e cila nuk ka ardhur nga partitë politike e ka pasur ndoshta shumë më të lehtë ta zbatojë këtë princip dhe këtë princip do ta shohim vazhdimisht tek zonja Osmani se a do të arrijë plotësisht të zbatojë këtë gjë që unë besoj se do ta arrijë”, u shpreh Prenkaj.

Tutje Prenkaj tha se edhe demokracia e Kosovës ka arritur në një hap shumë të rëndësishëm me zgjedhjen e presidentes së dytë që tregon një emancipim shumë të rëndësishëm të pozitës së gruas në Kosovë.

Të ngjashme