Ish-këshilltari i Kurtit kritikon Osmanin: S’ke kompetenca për t’i pranuar refugjatët afganë, deklarimet i ke për reklamë personale

Prishtinë | 16 Gus 2021 | 18:11 | Nga Ekonomia Online

Edhe një herë Afganistani ka rënë në duar të talebanëve, lëvizjes radikale islamike. Kjo ka bërë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat u tërhoqën nga ky vend aziatik pas 20 viteve, të kërkojnë nga vende të ndryshme të pranojnë për strehim të përkohshëm të refugjatëve afganë. Një kërkesë të tillë e ardhur nga amerikanët, dje Presidentja Vjosa Osmani shkroi ta ketë pranuar “pa ndonjë hezitim apo kushtëzim të vetëm”. E Qeveria nuk ka pasur çfarë t’i shtojë sot deklarimeve të djeshme për refugjatët afganë. Por, njohësit e Kushtetutës thonë se Presidentja s’është organi që vendosë për këtë çështje dhe në këtë kontekst, premtimi i saj ndaj SHBA-së është i paarsyeshëm.

Qeveria e Kosovës në një prononcim për Gazetën Online “Reporteri.net”, ka deklaruar se nuk kanë ndonjë informacion shtesë në lidhje me strehimin e afganëve që ndihmuan amerikanët gjatë qëndrimit në Afganistan.

Ndërsa, dje Qeveria Kurti II tregoi se që nga mesi i këtij korriku është në bashkëpunim të vazhdueshëm me ShBA-në dhe se çështja e refugjatëve afganë do të përmbyllet mirë.

Në anën tjetër, Presidentja e vendit me anë të një postimi të gjatë në Facebook ka shkruar se tashmë ajo i ka dhënë përgjigje pozitive kërkesës së ShBA-ve për pranimin e refugjatëve nga Afganistani, të cilët po ikin nga frika e represaljeve të talibanëve që morën pushtetit pas largimit të forcave aleate.

“Pa asnjë hezitim apo kushtëzim të vetëm, kam dhënë pëlqimin tim për një operacion të tillë humanitar”, shkroi Osmani.

Madje Presidentja luajti edhe rolin e zëdhënëses së Qeverisë kur tregoi se çfarë ka ndërmarrë ekzekutivi në lidhje me këtë çështje.

“Qeveria e Kosovës, menjëherë pas kërkesës dhe diskutimit e dakordimit institucional, ka formuar grupin punues që merret me çështjet organizative bashkë me partnerët tanë amerikanë. Ka qenë kërkesë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që kjo çështje të mbetet konfidenciale për arsye të sigurisë dhe të procesit të largimit të qytetarëve afganë nga Afghanistani”, thuhej në postimin e Presidentes Osmani.

Deklarimin e të parës së shtetit e kritikon ish-këshilltari i kryeministrit Albin Kurti, Durim Berisha.

Njohësi i së drejtës kushtetuese, në një prononcim për Gazetën Online “Reporteri.net”, tha se premtimi i presidentes Osmani është i paarsyeshëm dhe i panevojshëm pasi që nuk mund të zbatohet në praktikë.

“Duke marrë parasysh se çfarëdo konfirmimi i Presidentit të Shtetit rreth pranimit të refugjatëve nga Afganistani nuk mund të zbatohet në praktikë, për shkak se këtij institucioni i mungojnë kompetencat ekzekutive, një reagim i tillë i Presidentes Osmani përpos se i panevojshëm del të jetë edhe i paarsyeshëm. Procedurat e Azilit zhvillohen nga Ministria e Brendshme dhe vetëm ai institucion e ka mundësinë të vlerësojë nëse Kosova i ka kapacitete për të pranuar një numër të refugjatëve, ashtu si i kërkohet”, tha Berisha.

Tutje Berisha thotë se duke pasur parasysh mungesën e kompetencave të Presidentes rreth çështjes së pranimit apo jo të afganëve refugjatë, një deklarim i tillë është për pak reklamë personale. Megjithatë, një gjë e tillë, sipas Berishës, ka vendosur në pozitë të palakmueshme institucionet kompetente të vendit.

“Presidentja do të mund të shprehte mbështetjen ndaj një vendimi të Qeverisë, por assesi nuk ka kompetencë për të vendosur rreth pranimit ose jo të personave të huaj. Prandaj me veprimin e saj, më shumë për pak reklamë personale, ajo ka vendosur institucionet kompetente në pozitë të palakmueshme rreth kësaj çështjeje e cila përpos aspektit human përfshin edhe vlerësimin e sigurisë nacionale dhe kërkon staf të mjaftueshëm profesional – që Kosovës i mungon”, tha Berisha për Reporteri.net.

Në fund, ish-këshilltari i Kurtit ka një këshillë për të paren e vendit.

“Presidentja Osmani duhet ta kuptojë dhe pranojë rolin dhe funksionin të cilin ja kornizon Kushtetuta. Pra një rol ceremonial pa kompetenca ekzekutive”, tha Berisha.

Gjatë ditës, Reporteri.net ka dërguar pyetje në adresë të Presidencës së Kosovës për të pyetur se mbi bazën e të cilave kompetencave ligjore, Osmani ka bërë premtimin për pranimin e refugjatëve nga Afganistani.

Tutje, Gazeta Online ‘Reporteri.net’ ka pyetur se cilat institucionet i ka urdhëruar që të implementojnë këtë premtim dhe nëse ka pasur koordinim paraparak me Qeverinë Kurti II për punën e pranimit të refugjatëve nga shteti që njohu ndër të parët pavarësinë e Kosovës.

Deri në botimin e këtij shkrimi, përgjigjet nga Presidenca kanë munguar.

Kujtojmë që deri më tani, përveç Kosovës, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Kanadaja deri më tani kanë shfaqur gatishmërinë për të pranuar refugjatë nga Afganistani.

Të ngjashme