Ish-kryediplomati Hoxhaj i reagon Muskut: Ke një narrativë ruse

Prishtinë | 03 Tet 2022 | 23:40 | Nga Ekonomia Online

Ish-kreu i PDK-së dhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, Enver Hoxhaj, i ka reaguar njeriut më të pasur në botë Elon Musk.

Ai e ka sugjeruar Muskun të lexojë libra për të kuptuar më mirë Kosovën dhe Ukrainën.

“Lexo disa libra nëse dëshiron të kuptosh më mirë Kosovën dhe Ukrainën. Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë, ndërsa Rusia dëshiron të marrë tokë që nuk i takon asaj. Ke një narrativë ruse. Qëndro jashtë kësaj nëse nuk je i informuar në detaje”, ka shkruar Hoxhaj në Twitter.

Musk propozon një qasje të ngjashme si ndaj Kosovës për Krimenë dhe Donbasin

Njeriu më i pasur në botë dhe njëri ndër figurat më me ndikim të shekullit njëzetenjë, Elon Musk, e ka përmendur rastin e pavarësisë së Kosovës kur ka folur për krahinat ukrainase të Donbasit dhe Krimesë.

Ai e ka hapur një anketë në llogarinë e tij në Twitter duke propozuar që të mbahet një referendum se me kë duan që të jenë këto dy territore, me Ukrainën apo Rusinë.

“Le ta provojmë këtë: vullneti i njerëzve që jetojnë në Donbas dhe Krime duhet të vendosë se a janë pjesë e Rusisë apo Ukrainës”, ka shkruar ai.

I pyetur nga një ndjekës se a po tenton ta legjitimojë pseudorefendumin që ndodhi nën kushte persekutimi, tortura dhe ekzekutime, Elon Musk sugjeroi që të votimi të zhvillohet nën mbikëqyrjen e Kombeve të Bashkuara.

Më pas ai e ka sugjeruar një qasje të ngjashme për këto territore siç ishte bërë me Kosovën, por pa e elaboruar më qartë se çfarë donte të thoshte me këtë.

“Ndoshta një qasje të ngjashme si me Kosovën?” ka shkruar Musk dhe ia ka bashkëngjitur artikullin e Britannica për Kosovën.

Të ngjashme