Ish-kryetari i Prishtinës: Mësimdhënësit janë punëtorë të komunave, ndalesa nga MF shkelje e rëndë

Prishtinë | 02 Sht 2022 | 11:45 | Nga Ekonomia Online

Ish-kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka reaguar në lidhje me vendimin e Minusttisë së Financave për t’ua ndalur pagat grevistëve, për muajin e shkuar.

Madje, Ahmeti ka theksuar se listat e pagave për muajin në vazhdim dërgohen nga komunat me datën 10, kur as nuk kishte filluar greva.

Në një postim në Facebook, Ahmeti shprehet se mësimdhënësit janë punëtorë të komunave. Ata janë në listat e pagave të komunave dhe paguhen nga buxhetet e komunave.

“Çdo komunë deri me datën 10 përgatisin listën e pagave për muajin e ardhshëm dhe ekzekutohen nga ministria e financave”, ka saktësuar ish-kreu i kryeqytetit.

“Me datën 10 punëtorët skanë qenë në grevë. Qeveria ju ka dërgu komunave kërkesën për listën e punëtorëve grevistë të cilën nuk kam informatë se e ka dërguar dikush. MF ka bllokuar ekzekutimin e pagave për organizatat buxhetore që nuk i kanë dërgu. Prandaj pagat nuk i kanë marr as mjekët e shëndetësisë primare e as shërbyesit civil nëpër komuna”, ka shkruar Ahmeti.

Sipas tij:

  1. Bllokimi i pagave nuk mund të realizohet pa bashkëpunimin e komunave, sepse gjasa teorike nuk ka qeveria me dit kush ka shku në punë e kush jo, sepse shkollat i raportojnë Komunës.
  2. Komuna si epror vendos se kënd me e penalizu e kënd jo. Ministria nuk mund të jetë mbi komunën. Kjo është e garantuar edhe me kushtetutë edhe me Karten Evropiane të Vetëqeverisjes Lokale.
  3. Ndalesa e pagave për punëtorët që nuk janë në grevë është edhe shkelje e rëndë ligjore!

“Nuk mund të komentoj mbi meritën e kërkesës së Sindikatave sepse nuk jam as mësimdhënës e as nuk e di gjendjen ekonomike të secilit grevist. Sindikatat e kanë detyrë gjithmonë të kërkojnë më shumë të drejta. Por e dijmë se rritja e çmimeve është enorme”.

“Nuk mund të komentoj as mbi planifikimet buxhetore sepse MF e din atë punë më së miri. Edhe pse ka shumë para të mbetura në buxhet, shpenzimi në paga e meditje është shpenzimi më joproduktiv në ekonomi”.

Por Ahmeti ka theksuar se se kjo situatë është katastrofike për qytetarët tonë. “Përveç mungesës së mësimit që ashtu kështu ka probleme me cilësi, ndalja e pagave në këtë situatë ekonomike rrezikon mirëqenien e shëndetin e qindra mijëra njerëzve në Kosovë”.

Shpend Ahmeti, i cili ka qenë nënkryetar i Vetëvendosjes, ka rikujtuar qëndrimin e subjektit të cilin tani e udhëheq Albin Kurti.

“Mos me u ul në tavolinë palët është e pakuptueshme edhe në qoftë se nuk pajtohen! Siç patëm thënë shpesh – me u taku me Serbinë e po ndërmjet veti jo është absurd”, përfundon postimi i tij.

Të ngjashme