Ish-ministri serb, Vuk Drashkoviq: Rusia po i bën Serbisë mashtrim të madh për Kosovën

Prishtinë | 04 Tet 2021 | 20:38 | Nga Ekonomia Online

Ish-ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Vuk Drashkoviq ka thënë se Rusia po i bën “mashtrim të madh” Serbisë kur bëhet fjalë për Kosovën.

Drashkoviq duke folur në “VIRUSSIA”, shprehet se humbja e Kosovës nga Serbia ka ndodhur me kapitullim pas Marrëveshjes së Kumanovës.

“Sikur Rusia, po e mbrojka, e ruajka sovranitetin mbi Kosovën? Do të thotë, Rusia po na e mbron atë që nuk e kemi. Që është e humbur me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit, sepse me këtë Rezolutë shteti i Serbisë, me të gjitha institucionet e veta, pas kapitullimit me Marrëveshjen e Kumanovës dhe luftën me Aleancën e NATO-s, është dëbuar nga Kosova. Dhe për këtë Rezolutë ka votuar edhe Rusia”, shprehet Drashkoviq.

Ai në dokumentarin që flet për ndikimin e diplomacisë ruse në Ballkanin Perëndimor, tregon se për interes të Rusisë prodhohet urrejtje në mes të serbëve.

“Për interes të Rusisë, me një buton të prodhohet prapë urrejtje në mes të serbëve. Gënjeshtra gjithmonë është në përparësi të madhe ndaj së vërtetës”, përfundon ai.

Edhe për Branko Çeçen nga Qendra për Hulumtime të Gazetarisë në Serbi, Rusia i shikon interesat e saj dhe se nuk ka asnjë lidhje me marrëdhëniet vëllazërore.

“Para së gjithash, Rusia i shikon interesat e saj, dhe se kjo me marrëdhëniet vëllazërore nuk ka absolutisht asnjë lidhje”, thotë Çeçen.

Ndërsa, drejtoresha e Qendrës për Studimeve Euro-Atlantike me qendër në Beograd, Jelena Miliq shpjegon se Rusia është destabilizuese me veprimet e saja të rrezikshme.

“Rusia krijon politikë destabilizuese, politikë e cila për nevojat e saj bënë veprime shumë të rrezikshme”, shpjegon Miliq.

Për ta kthyer lavdinë e Bashkimit Sovjetik, diplomacia e Kremlinit, përpiqet që të zbatojë në terren politikë agresive me ndërhyrje të pashembullta.

Pjesa e tretë e dokumentarit “VIRUSSIA” flet për atë se si është kushtëzuar Serbia nga Rusia për mos njohjen e pavarësisë së Kosovës, skandalet e ambasadorëve të Vladimir Putinit në Ballkanin Perëndimor dhe kush është filozofi i presidentit rus që përdor ekstremistët nëpër botë./RTK.

Të ngjashme