Ish-sekretari i MIE-së: Institucionet të painteresuara ta zbatojnë MSA-në, fqinjët po ecin drejtë BE-së

Prishtinë | 31 Mar 2020 | 13:19 | Nga Arlinda Sejdiu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Më 1 prill bëhen katër vjet të hyrjes në fuqi të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA).

Edhe pse kjo është edhe marrëveshja e parë kontraktuale e Kosovës me Bashkimin Evropian (BE), institucionet s’kanë ndërmarrë asnjë referomë serioze, i tha Ekonomia Online, ish-sekretari i ministrisë së Integrimit Evropian, Demush Shaha.

Shasha, që drejton Institutit EPIK, thotë se Kosova është i vetmi vend në rajon që ka elementë të shtetit të kapur.

“Asnjë reformë serioze nuk është ndërmarrë në këto katër vjet. Kjo është pothuajse evidente në çdo fushë, qoftë nëse është fjala për avancimin e marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Serbisë, qoftë nëse shikojmë raportin e fundit të progresit i cili evidenton që korrupsioni është i përhapur në gjitha nivelet, qoftë nëse e shikojmë rezolutën e Parlamentit Evropian e cila ka konfirmuar që Kosova është i vetmi vend në rajon i cili ka elemente të shtetit të kapur apo nëse shikojmë rangimin e Kosovës në kuadër të vlerësimit të sistemit arsimor në kuadër të rangimit të PISA-s”, tha Shasha për EO.

Shasha thotë se Kosova ka shënuar ngecje në çdo fushë sa i përket zbatimit të MSA-së. Ai thotë se kjo ndodhë, përderisa vendet e rajonit siç janë Shqipëria e Maqedonia e Veriut po ndërmarrin reforma për avancimin e tyre drejt BE-së.

Për dallim nga vendet e rajonit, Shasha thekson se Kosova nuk është në gjendje që as reformat më të vogla t’i avancojë.

“Pra në çdo fushë Kosova ka shënuar ngecje në zbatimin e MSA-së. Kjo ndodhë me një kontekst në rajon kur të gjitha vendet e rajonit janë duke ecur me hapa të mëdhenjve drejt BE-së, qoftë nëse shikojmë Shqipërinë apo Maqedoninë e Veriut, shohim që ato vende po ndërmarrin reforma të mëdha për të avancuar rrugën e tyre drejt BE-së, ndërsa, ne nga ana tjetër nuk jemi në gjendje që as reformat më të vogla t’i avancojmë”.

Shasha, tutje thekson se në Kosovë mungon vullneti  politik për të ndërmarr reformat e parapara me Programin Kombëtar për Zbatimin e MSA-së.

Ai thotë se klasës politike në vend i duhet një pjekuri për të marrë seriozisht reformat në rrugën drejt BE-së, raporton EO.

“Është një proces i natyrshëm, ndoshta i pjekurisë, i një pjekurie që kërkon kohë të klasës politike në vend, ku thjesht na duhet edhe pak kohë që klasa politike të ketë pjekurinë e nevojshme për të marrë reformat në rrugën evropiane në mënyrë serioze”.

“Ajo çfarë kemi pa deri tash është që në cilën do fushë, nëse analizojmë e shohim që nuk ka vullnet politik, qoftë ajo për të siguruar emërimet në institucionet publike, qoftë nëse shikojmë se çfarë po ndodhë me politizimin e sistemit të drejtësisë. Shohim mungesën do të thotë të vullnetit politik për të avancuar reformat në gjitha këta sektorë”, u shpreh Shasha. 

Ai tha se niveli i zbatimit është i mangët në të gjitha fushat. Sipas Shashës ani pse ndër vite ka pasur rënie të masave, është vërejtur edhe një rënie sa i përket zbatimit.

“Nëse shohim me kalimin e viteve, mund të shohim një trend në rënie edhe të vullnetit politik për të marrë reforma po edhe në numrin e reformave të parapara. Në vitin 2016 kanë qenë  1347 masa të cilat Qeveria ka paraparë t’i zbatojë. Në vitin 2019 janë paraparë vetëm 401. Do të thotë nga 1347 masa kanë rënë në 401”.

“Por, përkundër zvogëlimit të këtyre masave ajo çfarë po shohim një trend në rënie të zbatimit të këtyre masave. Këtë vit është shënuar zbatimi prej 51 për qind të Programit Kombëtar për Zbatimin e MSA-së. Kjo është përqindje më u ulët ndonjëherë e regjistruar. Vërehet mungesa e vullnetit politik në të gjitha fushat të zbatimit të MSA-së”, u shpreh Shasha.

Marrëveshja e Stabilizim Asociimit (MSA) hyri në fuqi më 1 prill 2016. Ajo përcakton mekanizmat dhe afatet zyrtare për zbatimin e të gjitha reformave që do ta përafrojnë Kosovën në mënyrë progresive me BE-në në të gjitha fushat e politikave, deri në përmbushjen e të gjitha standardeve të BE-së. 

Të ngjashme