Ish-zëdhënësja e Haradinajt i reagon zëdhënësit të Kurtit, gazetarëve t’iu sigurohen pyetje pa censurë

Prishtinë | 14 Pri 2020 | 14:45 | Nga Ekonomia Online

Ish-zëdhënësja e qeverisë Haradinaj, Donjeta Gashi, ia ka dhënë disa këshilla zëdhënësit të ri të qeverisë Kurti, Përparim Kryeziu, për formën se si ky i fundit po i organizon konferencat për media.

Gjatë konferencave të kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit, zëdhënësi i qeverisë, Përparim Kryeziu po kërkon nga gazetarët që pyetjet fillimisht t’i drejtohen atij, e më pas folësit kryesor.

E sipas Gashit, ky është presion ndaj gazetarëve, dhe se të njëjtëve duhet t’u sigurohen pyetjet pa cenzurë.

Në këtë formë, Gashi ia ka shpalosur disa këshilla Kryeziut se si t’i organizojë më mirë sipas saj konferencat për media.

Postimi i plotë:

Këshilla për zëdhënësin (for free)

Gjatë një dite të vetme, varësisht nga zhvillimet politike, si Zyre e Kryeministrit kemi pranuar 60-70 pyetje me email, telefonata apo mesazhe nga gazetarët (ne FB, Viber apo Whatsapp).

Kësisoj, nga pyetjet e marra (që në shumë raste për tematiken e njëjtë), si zyre e informimit kemi pas mundësi me mësu se çka mund të pyetet Kryeministri në konferenca apo në paraqitje të tjera publike.

Nga ky fakt, Ti (Ju) mund të bëni gati (në konsultim me agjendën dhe mundësite se ku mund të pyetet shefi Juaj) se cilat pyetje, rrjedhimisht cila përgjigje mund t’u ktheni medieve / gazetarëve!

Andaj, i nderuar zëdhënës, duke e kuptuar presionin e punës, volumin e madh të aktiviteteve dhe specifikat e caktuara apo edhe dëshirën për protagonizëm, i ke këto këshilla:

Lexo lajmet e asaj dite ose të një dite paraprake (TV-te, Radiot, portalet) për t’i kuptuar temat që mund të shtjellohen apo për të cilat mund të pyetet shefi juaj.

Lexo postimet në Facebook të akterëve medial për të kuptu se me çka mund të përballesh.

Përgatitë një listë pyetjesh hipotetike bazuar nga pika 1 dhe 2

Tregoja Shefit, bashkë me komentet Tuaja nga matja e këtyre opinioneve.

Ndreqe krevaten, qëndrimin drejt dhe Go for It!

Më e rëndësishmja: Jepju gazetarëve të drejtën e tyre të garantuar; t’i bëjnë pyetjet pa presion dhe pa cenzur.

Ne që kemi ecur në rrugën tënde, e kuptojmë edhe një fakt: shumë herë, fjala e merr dhenë.

Ruje shnetën, ruje integritetin personal (sepse çdo funksion është kalimtar), respekto të drejtën e fjalës së lirë dhe respekto institucionin.

Faleminderit për vëmendje!.


Të ngjashme