Ismaili: Duke e bërë hisedar të Ujmanit, Hoti ia hapi derën Serbisë për ndarjen e resurseve të Kosovës

Prishtinë | 17 Sht 2020 | 18:18 | Nga Ekonomia Online

Deputeti i PDK-së, Uran Ismaili ka adresuar një varg kritikash ndaj kryeministrit Avdullah Hoti për dialogun me Serbinë.

Ai në seancën e sotme plenare, ku po raporton kreu i ekzekutivit, tha se i njëjti ka përkeqësuar pozicionin e Kosovës në dialog duke hapur tema të rrezikshme dhe duke mos sjell njohjen nga Uashingtoni, siç kishte trumbetuar vazhdimisht.

“Premtuat njohje. I bindur, në kufi të arrogancës. Por, i mbërthyer nga iluzionet e pushtetit, jo që nuk e arritët njohjen, por përkundrazi po e largoni Kosovën nga mundësia e njohjes…Kjo shihet më së miri me temat që jeni duke i trajtuar. Të kaluara e të mbyllura, që nga koha e Edita Tahirit, ju po kaloni nëpër të njëjtat tema, e po i shqyrtoni si të reja. Çdo rrotullim i juaji në rreth, po duartrokitet nga Serbia, sepse edhe ata po çuditen me çfarë lehtësie po jua lejon hapjen e temave të vjetra e të mbyllura. Kjo sjellje e juaja – në temat që janë konsideruar të mbyllura për Kosovën, është e rrezikshme”, ka thënë Ismaili.

Ish-ministri i Shëndetësisë akuzoi kreun e ekzekutivit edhe për negocimin për resurset e vendit.

“Qeveria Hoti, me ekipin masiv, e ka përkeqësuar dialogun, duke ia shtuar Kosovës edhe një problem tjetër – atë të kontestimit të pronësisë së pasurive natyrore të Kosovës… Është hera e parë në historinë e Republikës tonë që përfaqësuesit tanë shtetërorë negociojnë për resurset tona dhe që pasuritë tona të pazëvendësueshme i bëjnë objekte të pazareve me Serbinë. Shteti ynë deri tash ka zotëruar dhe menaxhuar i vetëm Ujmanin. Avdullah Hoti, me delegacionin e tij të madh, ka arritur që ta bëjë Serbinë bashkëpronare në arterien kryesore të ujit të Kosovës. Duke e bërë Serbinë hisedar të Ujmanit, Hoti ka hapur derën e kahmotshme të kërkesës së Serbisë – ndarjen e resurseve të Kosovës”, ka thënë Ismaili.

Të ngjashme