Ismaili: Kurti ka filluar të hyjë në lojën e Vuçiqit

Prishtinë | 06 Pri 2020 | 13:34 | Nga Ekonomia Online

Sekretari i PDK-së, Uran Ismaili ka thënë se kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka nisur të bëjë lëshime ekstreme në veri.

Ismaili përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se këtë lojë të rrezikshme të cilën është duke e bërë kryeministrin në detyrë, do të përfundoj me humbje për vet atë por edhe për Kosovën.

Postimi i plotë:

Kryeministri Kurti mes shumë gabimesh ka nisur një lojë të re, për ta fituar simpatinë e bashkësisë ndërkombëtare, raportet me të cilën i ka thellësisht të çara. Me letrat e një projekti të rrezikshëm në duar, bashkë me disa ndërkombëtarë që janë kundër pavarësisë së Kosovës, ka nisur të bëjë lëshime ekstreme në veri. Për të mbetur disi në radarin e tyre, e për të mbijetuar politikisht jashtë, ai po sakrifikon gjithçka brenda. Ajo që e dëshmon më së shumti këtë skenar është rifaktorizimi i UNMIKU-t si palë ndaj Vuçiçit.

Këtë rrethanë të izolimit nga qendrat kryesore ndërkombëtare të Kurtit, si dhe situatën me pandeminë, Serbia dhe Aleksandar Vucic do ta shfrytëzojnë për qëllimet e tyre në Kosovë.

Me spotin e tij, si “vëllazërim-bashkim” me Agimin dhe Goranin, Kryeministri tentoi ta largonte vëmendjen nga e vërteta brutale që sot është në veri. Në fakt, kjo është ajo që e dëshiron shteti serb. Të merremi sa më pak me veriun, në mënyrë që atje të veprojë sa më lirshëm dhe mundësisht sa më papengueshëm.

E vërteta është se komunat në veri janë vendosur në karantinë dhe qytetarëve atje u është kufizuar lëvizja, për shkak të pandemisë, me urdhër nga Beogradi. E vërteta tjetër është se Kryeministri Kurti, për ta larguar vëmendjen nga ky fakt, vendosi të akuzojë për tradhti. Një metodë e vjetër kjo e tij, e njohur tashmë nga të gjithë, që sa herë i zihet “bishti me rrotë”, bërtet për “tradhtinë”.

Më e drejtë do të ishte po të tregonte për agresionin që Serbia po e ushtron në veri, e të kërkonte ndihmë nga partitë shqiptare. Por, jo. Ai lypi ndihmë nga Agim Bahtiri, që ditë më pari tmerroi qytetarët duke folur për vëllavrasje, dhe nga Goran Rakic i Listës Serbe.

Albin Kurti, me naivitet dhe pa përvojë, me mungesë totale të përgjegjësisë dhe guximit, ka filluar të hyjë në lojën e Aleksandar Vucicit. I goditi liderët shqiptarë, u kërkoi qytetarëve të rrijnë të qetë, ndërsa veriun ua la Rakicit, Gjuriqit, e disa ndërkombëtarëve që për karrierë të tyre – të gjitha do t’ia dorëzonin Serbisë.

Por, kjo lojë as nuk do ta thyejë izolimin ndërkombëtar të Kurtit, e as nuk do ta mbrojë sovranitetin në veri. Kjo lojë nuk mund të përfundojë ndryshe pos me humbje. Për Kurtin dhe për Kosovën.

Të ngjashme