Ismaili: Minatorët e Trepçës janë krenaria e shtetit modern të Kosovës

Prishtinë | 20 Shk 2022 | 09:21 | Nga Ekonomia Online

Ish-deputetja nga radhët e PDK-së, Besa Ismaili, përmes një postimi në facebook ka thënë se greva e Minatorëve të Trepçës përbën njërën nga ngjarjet më të rëndësishme në rrugëtimin e popullit tonë për liri, si dhe përpjekjen për krijimin e institucioneve të pavarura.

“Në rrugëtimin tim social, nuk ka sesi të mos ndihesh krenare që një ngjarje si kjo, e parë për së afërmi, pasi që shumë ish-grevistë i njihja nga relacionet familjare dhe relacionet e një qyteti të përbashkët, Mitrovica, përfshinë edhe ndikimin në formësimin tim civil dhe politik.

Mijëra minatorë grevistë, me aktin e tyre, shpërfaqin dy pika thelbësore në historinë tone:

Ata ishin sinonimi më i duhur i rezistencës paqësore, që lëkundi themelet e shtetit Jugosllav, si një mjet solidarizues me shtypjet ndaj studentëve dhe institucioneve demokratike që shprehnin vullnetin e popullit shqiptarë.

Si ngjarje, së bashku me protestat e vitit 1981, simbolizon fillimin e shpërbërjes dhe gjunjëzimit të shtetit hegjemonist serb, ku kjo grevë ishte një oponencë direkte ndaj pushtetit dhe veprimeve të ndërmarra, i cili si synim kryesor kishte çfarëdo forme ripushtimin e Kosovës.

Minatorët e Trepçës përveç urimit për javën e tyre, duhet parë si model të një kontributi të vazhdueshëm ndaj kombit tonë dhe si aktivistë të zellshëm në zhvillimin e vendit.

Ata janë krenaria jonë në shtetin modern të Kosovës dhe se miniera ku ata kanë dhënë shumë dhe vazhdojnë të japin, nuk është vetëm aset yni shtetëror, por edhe pikësynim për një vitalizim të qëndrueshëm dhe përparimtar”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme