Ismaili: PDK do t’i votojë marrëveshjet ndërkombëtare, mes tyre edhe një projekt tepër të rëndësishëm për Anamoravën

Prishtinë | 08 Kor 2020 | 21:20 | Nga Ekonomia Online

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Uran Ismaili ka thënë se Partia Demokratike e Kosovës do t’i votojë të gjitha marrëveshjet financiare ndërkombëtare në Kuvendin e Kosovës që përmirësojnë jetën e qytetarëve.


Sipas tij fatkeqësisht shumë prej këtyre marrëveshjeve janë zvarritur pikërisht nga partitë në pushtet kur kohë më parë ishin në opozitë.

“PDK-ja nuk e ndjek këtë model të opozitarizmit që sillet në bazë të inateve personale dhe politikave ditore. PDK-ja do të dëshmojë edhe një herë se në pushtet apo në opozitë, interesi i qytetarëve të Republikës së Kosovës do të jetë gjithmonë në rend të parë”, ka shkruar ai në Facebook.

Ai ka thënë se implementimi i projekteve zhvillimore është jetik për vendit.

“Sidomos kjo vlen në këtë krizë të pandemisë që po na merr shumë jetë e po na varfëron. Prandaj implementimi i projekteve zhvillimore është jetik. Sepse vetëm duke i hapur rrugë zhvillimit përmirësohet mirëqenia jonë qytetare”, ka shtuar ai.

Ai e ka përmendur ndër të tjera projektin për Zhvillimin e Ujërave të Zeza në Gjilan, porblem ky që është bartur me vite të tëra.

“I tillë është edhe projekti shumë i nevojshëm për Zhvillimin e Ujërave të Zeza në Gjilan, problem që ka brengosur shumë vite banorët e këtij qyteti. Ky është një lajm shumë i mirëpritur për këtë anë të Anamoravës dhe me votën tonë nesër do t’i japim fund kësaj pritjeje të gjatë”, ka thënë Ismaili.

Ai i ka bërë thirrje Qeverisë që të merr seriozisht pakot financiare për të ndihmuar qytetarët dhe të gjitha kategoritë e bizneseve të cilat janë godituar jashtëzakonisht shumë nga pandemia dhe rrezikojnë bankrotimin.

Të ngjashme