Ismaili: Qeveria Kurti e konfirmoi se nuk ka vullnet për bashkëpunim sa i përket sigurimit të vaksinave

Prishtinë | 27 Pri 2021 | 19:34 | Nga Ekonomia Online

Uran Ismaili i PDK-së ka thënë se Qeveria Kurti 2 me refuzimin e rezolutës së propozuar nga PDK-ja në Kuvend, e ka treguar se nuk ka vullnet për bashkëpunim sa i përket sigurimit të vaksinave dhe rritjes së kapaciteteve në menaxhim të pandemisë.

Rezoluta e propozuar nga PDK-ja nuk ka kaluar në Kuvend sot.

“Qeveria Kurti 2, që e ka gojën plot thirrje për bashkëpunim në emër të pandemisë, sot edhe zyrtarisht refuzoi iniciativën tonë që kishte për qëllim luftimin sa më efikas të pandemisë. Duke votuar kundër Rezolutës të propozuar nga PDK-ja, Qeveria Kurti 2 edhe një herë e konfirmoi që nuk ka vullnet për bashkëpunim sa i përket sigurimit të vaksinave dhe rritjes së kapaciteteve për menaxhim të COVID-19. Sigurimi sa më i shpejtë i vaksinës dhe administrimi sa më efikas janë kërkesa kryesore e qytetarëve – të cilët janë të dërrmuar nga pandemia. Përderisa çdo ditë kemi qytetarë që humbin anëtarë të familjes, humbin vendin e punës, si dhe ballafaqohen me kosto marramendëse të trajtimit të COVID-19, Qeveria jonë vendos bojkotin në vend të zgjatjes së dorës dhe ndihmës për ta. Rezoluta jonë, që sot nuk u miratua, kishte për qëllim sigurimin sa më të shpejtë të vaksinave anti-COVID-19, si dhe rritjen e kapaciteteve për aplikim dhe administrim të vaksinës në gjithë Kosovën. Qeveria Kurti 2 duhet të tejkalojë arrogancën e pushtetit dhe të kthejë vëmendjen te qytetarët, që çdo ditë e më shumë po thellohen në krizë të pandemisë”, ka shkruar Ismaili në Facebook.

Të ngjashme