Ismaili: Zhgënjyese, mjekët tanë në vijë të frontit pa buxhet për paga

Prishtinë | 31 Mar 2020 | 19:54 | Nga Ekonomia Online

Sekretari i PDK-së, Uran Ismaili, njëhersh edhe ish ministër i shëndetësisë, ka reaguar në lidhje me mosngritjen e pagave për profesionistët shëndetësorë.

Ai ka thënë se mosngritja e pagave për mjekët dhe infermierët tanë është tejet zhgënjyese.

‘Pritja e tyre shumë vjeçare ende nuk ka marrë mbështetjen e merituar. Ligji që bëri ngritjen më të lartë të pagave ishte mirëpritur nga profesionistët shëndetësorë si një hap i madh drejt trajtimit dinjitoz të tyre nga Republika e Kosovës.”, ka thënë Ismaili.

Më tutje, Ismaili ka thënë se opozita e atëhershme, pra Qeveria e sotme, nuk e votuan këtë ligj dhe dëshmuan se nuk arrijnë të dalin përtej agjendës së tyre partiake, as kur bëhet fjalë për rritjen e mirëqenies qytetare..

“LVV dhe LDK në opozitë nuk e votuan ligjin, ndërkohë në pushtet nuk i përfshinë rritjet e pagave në Ligjin e Buxhetit.”, ka shtuar Ismaili.

Më tej, Uran Ismaili ka thënë se profesionistët shëndetësorë janë vija jonë e parë e frontit në luftën kundër Covid-19, ndërkohë që kjo qeveri nuk ofron asgjë tjetër, pos shtesave të përkohshme.

“Shtesat janë improvizime të pamjaftueshme, kurse shteti ynë ka nevojë për plane të qëndrueshme e afatgjate. Për dy vite gjatë mandatit tim si Ministër i Shëndetësisë kemi punuar me përkushtim për të përmirësuar sistemin shëndetësor dhe për të rritur mirëqenien e profesionistëve shëndetësorë që t’u sigurojmë atyre paga të dinjitetshme që të qëndrojnë në Kosovë.”, ka thënë ai.

Në fund, Uran Ismaili i ka bërë thirrje Gjykatës Kushtetuese që këtë lëndë ta trajtojë me urgjencën më të lartë, marrë parasysh përballjen me pandeminë globale.

“Masat e përkohshme stimuluese të ndërmarra nga Qeveria janë harrnime që pamundësojnë ndërtimin e një sistemi shëndetësor që kujdeset për shëndetin e qytetarëve. Pengesat politike nga agjendat partiake kanë lënë profesionistët tanë shëndetësorë në vija të frontit pa siguri financiare dhe pa mirëqenie.”, ka përfunduar Uran Ismaili.







Të ngjashme