Isufi: AAK-ja do të jetë pjesë e Qeverisë pavarësisht kush del partia e parë

Prishtinë | 09 Jan 2021 | 08:16 | Nga Fitore Berisha Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) do të jetë pjesë e ekzekutivit pavarësisht se kush mund të dalë partia e parë e cila do të ketë të drejtën të formojë Qeverinë e re.

Nënkryetari i kësaj partie, Ahmet Isufi, në një intervistë për Ekonomia Online tha se AAK-ja do të shkojë e vetme në këto zgjedhje, mirëpo nuk përjashton mundësinë për koalicione paszgjedhore.

“Orientim e kemi që të shkojmë vetëm si subjekt i veçantë politik dhe njëkohësisht ne do të jemi pjesë e Qeverisë sepse gjithmonë kemi pretenduar që të marrin përgjegjësi poashtu e kemi edhe listën e cila është duke u formuar, por që nuk është deri tani definitive sepse ka kohë. Ne do të jemi pjesë e Qeverisë pavarësisht se kush mund të dalë partia e cila mund të ketë të drejtën të formojë Qeverinë”.

Ai ka sqaruar se nuk kanë vija të kuqe me asnjë parti politike.

“Ne kemi deklaruar me kohë që nuk kemi vija të kuqe ndaj partive politike sepse e kemi ditur që kur është në pyetje ardhja në pushtet të gjithë po i harrojnë vijat e kuqe. Prandaj ne me kohë kemi deklaruar se demokracia funksionon atëherë kur me partitë politike ka partneritet dhe nuk e ke armiqësi”, shtoi Isufi.

Duke folur për kandidaturën e Ramush Haradinajt për president të vendit, ai thotë se po insistojnë në këtë pozitë duke e ditur se ka rol shumë të rëndësishëm për shtetin.

“Ne kemi pretendim për president si rol shumë i rëndësishëm për vendin dhe duke e ditur këtë atëherë në Qeveri marrim përgjegjësi, por nuk duam t’i kemi pretendimet e tejkaluara për shkak se kemi nevojë që të jemi në Qeveri duke e pasur edhe presidentin si rol shumë i rëndësishëm për shtetin. Po veç e kemi deklaruar që e kemi insistim presidentin për shkak se mendojmë se ka një rol kyç në udhëheqjen e shtetit dhe mendojmë që meqë e kemi ofruar si mundësi të tillë atëherë do të komunikojmë me partitë politike që në të ardhmen ta votojmë në Parlamentin e Kosovës”.

Kurse sa i përket kandidimit të personave të dënuar për vepra të ndryshme penale , ai thotë se duhet të respektohen vendimet e institucioneve përgjegjëse.

“Të gjithë ata të cilët janë në kundërshtim me ligjin dhe kanë vendimin e prerë të gjykatës e që bien në kundërshtim edhe me kandidimin për zgjedhje normalisht që do ta respektojmë sepse është bazë e parë e demokracisë dhe sundimit të ligjit”.

Kreu i kësaj partie, Ramush Haradinaj ka deklaruar se kjo parti nuk do të ketë kandidat për kryeministër në këto zgjedhje.

Lexo më shumë:

Të ngjashme