Isufi: Nuk duam Qeveri teknike, Haradinaj – kryeministër i pakontestueshëm

Prishtinë | 06 Gus 2019 | 12:15 | Nga Halide Rexhepi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) nuk do të jetë pjesë e një qeverie të mundshme teknike, thonë zyrtarë të lartë të kësaj partie, raporton Ekonomia Online.

Nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi, në një intervistë për EkonomiaOnline, thotë se janë pajtuar që të shkojnë në zgjedhje të reja, ndërsa thotë se preferojnë një koalicion parazgjedhor me partitë më të vogla, si Nismën Socialdemokrate dhe PSD-në.

“Fillimisht në kemi thënë që do të dalim si subjekt i veçantë, por nëse ka nevojë që të bëhen koalicione atëherë shkojmë me partitë me të cilat kemi pasur një traditë të angazhimit tonë të përbashkët siç është NISMA, poashtu edhe me PSD-në për shkak të konstruktivitetit që ka treguar në këto angazhime, sidomos me aprovimin e ligjeve të rëndësishme të cilat kanë qenë për Kosovën. Poashtu edhe ndonjë parti tjetër e cila mund të jetë pjesë e angazhimit, por kjo do të shihet në ditët në vijim se cilat janë orientimet e partive tjera të cilat duan t’i bashkohen Aleancës. Nuk kemi vija të kuqe me asnjë parti, por që kemi me dikën afrim më shumë  e me dikë kemi distancë”, thotë ai.

Ai po ashtu thotë se Ramush Haradinaj është kandidat i pakontestueshëm për Kryeministër, pasi që si thotë ai, Haradinaj për dy vjet sa ishte në krye të qeverisë dëshmoi se di të mbrojë interesat e Kosovës.

“Unë besoj që të gjitha partitë politike janë bindur se kryeministër, i cili mbron interesat e Kosovës, është i vendosur në vendimet të cilat e favorizojnë shtetin e forcojnë është kryeministri Ramush Haradinaj. Prandaj asnjë  drejtim as një dilemë nuk ekziston, sepse megjithatë gjatë qeverisjes 2 vjeçare ka treguar që është burrështetas i cili merr vendime të rëndësishme dhe vihet në kundërshtim të atyre interesave të cilat mund ta dobësojnë Kosovës. Prandaj, me qëndrimin e tij zotëri Haradinaj ka garantuar një ecje përpara edhe të tjerët janë bindur që nuk ka kryeministër më të mirë se Haradinaj”, thotë ai.

Isufi komentoi edhe vendimin e Kryesisë së Kuvendit për të caktuar 22 gushtin si datë për seancën në të cilën synohet shpërbërja e Kuvendit.

Thotë se ishte një dakordim i të gjitha partive për një datë të tillë.

“Në fund të takimit të Kryesisë të gjithë janë pajtuar që të jetë kjo datë, megjithëse ka pasur edhe  propozime siç ka qenë edhe propozimi ynë që edhe më herët bënë 14 ose 15 gushti, por megjithatë ishte një kërkesë që të bëhet me 22 për shkak të përgatitjeve që duhet të bëhen dhe kjo është në rregull”.

Isufi ka mohuar zërat që flasin për mundësinë e një qeverie teknike, pasi që thotë se të gjitha partitë tashmë janë pajtuar që të shkohet në zgjedhje të parakohshme.

“Në bazë të deklarimit të partive politike edhe të kryetarit të Kuvendit në takim absolutisht s’ka ndonjë interesim për tjetër temë përveç se shkuarjes në zgjedhje, të gjithë janë deklaruar se janë për zgjedhje dhe kjo tani është publike, është opinion dhe nuk ka asnjë shans që të ndodhë asnjë ndryshim”, thotë ai.

I pyetur nëse do të jenë pjesë e një qeverie ku kryeministër do të ishte dikush tjetër, e jo Haradinaj, Isufi thotë se Haradinaj është dëshmuar se është një kryeministër i pakontestueshëm.

“Po ne e dimë që çdo parti kur del në fushatë dhe në kohë zgjedhjesh kryeministrin e synon për shkak se kemi një sistem parlamentar ku Qeveria ka një rol kyç në zhvillimet politike institucionale në vend. Por ajo çka është me rëndësi do t’i jepet përkrahja asaj që e meriton më së shumti edhe konsideroj që për 20 vjet me radhë për 2 herë kur ka qenë kryeministër zoti Haradinaj ka treguar se është një lider i pakontestueshëm në ekzekutiv, thotë Isufi, derisa flet edhe për rritjen e AAK-së..

“Skena politike e Kosovës është në një trend interesant për shkak se 4 partitë politike garojnë për kreun e ‘tabelës’ dhe në këtë garë jemi fuqishëm të orientuar, shkaku i vendimeve të mëdha që najë ndërmarrë nga zotëri Haradinaj që janë përqafuar nga populli, poashtu kemi një ngritje të Aleancës përkundër partive të tjera që kanë rënie ose stagnim”, thotë ai.

“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës edhe nga sondazhet edhe nga perceptimi në opinion është parti e cila është në rritje dinamike”, përfundoi ai.

Të ngjashme