BE-ja e palëkundur, Kosova ka edhe dy kritere për liberalizimin e vizave

Prishtinë | 17 Kor 2017 | 08:33 | Nga Besa Maliqi

Bashkimi Evropian edhe një herë ka ripërsëritur se Kosovës i mbesin edhe dy kritere të papërmbushura për liberalizimin e vizave, raporton Ekonomia Online.

Nga krerët shtetëror luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit është lënë kriter nën hije, ndërsa zyrtarë të BE-së vazhdimisht kanë përmendur plotësim e këtij kushti.

Madje kryeministri në detyrë Isa Mustafa gjatë Samitit të Triestës, tha se Kosova ka përmbushur 94 nga 95 kriteret e kërkuara duke përmedur vetëm përcaktimin e vijës kufitare me Malin e Zi si kriter të paplotësuar.

Por në Bruksel thonë ndryshe. Maja Kocijançiq, zëdhënëse e përfaqësueses së lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Frederica Migherini në një përgjigje përmes postës elektronike për Ekonomia Online, thotë se Kosova duhët të vazhdojë të tregojë rezultatete në luftën kundër krimit të organizuar e korrupsionit të nivelit të lartë.

Ajo përmendi takimin e presidentit Hashim Thaci me kreun e Komisionit Evropian, Jean Clode Juncker, ku u diskutua në lidhje me pëtmbushjne e këtij kriteri, duke porositur që punë në luftimin e krimitë të organizuar e korrupsionit duhet të vazhdojë.

“Në një takim me Presidentin Thaçi më 9 shkurt, Presidenti Juncker përgëzoi përparimin që Kosova ka bërë në këtë drejtim kohët e fundit, duke përfshirë edhe mbledhjen e të dhënave për rastet e nivelit të lartë të krimit të organizuar dhe korrupsionit. Por kjo punë duhet të vazhdojë ende”, ka porositur ajo.

Ajo thotë se Kosova ka tentuar që të mitarojë demarkumin e kufirit me shtetin fqinj, Malin e Zi, por pa sukses. E kjo përpjekeje po vlerësohet nga BE-ja.

“Komisioni gjithashtu njeh përpjekjet që Kosova ka bërë për të ratifikuar marrëveshjen e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi. Siç parashikohet në propozimin e Komisionit të majit 2016, ratifikimi i kësaj marrëveshjeje është një nga kërkesat për liberalizimin e vizave”, sqaroi ajo, raporton EO.

Ndonëse kryeministri Mustafa po përmend vetëm demarkacion si kusht, zëdhënsja e BE-së thotë se kryeministrit në detyrë, në muajin prill i janë bërë të qarta punët që e presin në mënyrë që kosovarët të lëvizin pa viza në zonën Schengen.

“Komisioneri Avramopulos më 25 prill u takua me kryeministrin Mustafa për të diskutuar hapat përfundimtarë të nevojshëm për të përmbushur kriteret e mbetura të dialogut për liberalizimin e vizave me Kosovën”, u shpreh Kocijançiq.

Sipas Kocijançiq, Komisioni është plotësisht i vetëdijshëm për rëndësinë që liberalizimi i vizave ka për popullin e Kosovës, por kjo mbetet në dorën e institucioneve vendëse.

Komisioni Evropian tashmë ka dhënë rekomandimin formal për heqjen e vizave për Kosovën, por me dy kushte shtesë, demarkacioni me Malin e Zi dhe luftimin e krimit të organizuar e korrupsionit.Pasi që institucionet e Kosovës të plotësojnë këto kushtet Këshilli i Bashkimit Evropian, ku vendosin ministrat e brendshëm të vendeve anëtare me shumicë të kualifikuar duhet ti thotë po liberalizimit. Të njejtën duhet ta bëjë edhe edhe Parlamenti Evropian.

Sapo propozimi të miratohet nga Këshilli dhe Parlamenti Evropian, kosovarët me pasaporta biometrike nuk do të kenë më nevojë për viza kur udhëtojnë për qëndrim të shkurtër deri 90 ditë në shtetet anëtare të BE-së, në përjashtim të Irlandës dhe Britanisë së Madhe, si dhe katër vende të asociuara të Shengenit që janë: Islanda, Lihtenshtajni, Norvegjia dhe Zvicra, raporton EO.

Të ngjashme