Jakup Krasniqi: Pse Kosova mos ta provojë qeverisjen Kurti?

Prishtinë | 31 Jan 2020 | 18:54 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës Socialdemokrate, Jakup Krasniqi, përmes një shkrimi të tij drejtuar mediave thotë se ia vlen të formohet një qeveri e pakicës.

Ai ka ritheksuar pamundësinë e arritjes së marrëveshjes për koalicion, të paktën deri tash, mes Vetëvendosjes dhe Lidhjes Demokratike, thotë se për një qeveri të pakicës duhet të ketë një vullnet politikë, se paku për t’i shtyrë zgjedhjet për një vit dhe që t’i jepet mundësi të majtës politike për të parë se a është ndryshimi dhe a ka me të majtën qeverisje të mirë.

Tutje, Krasniqi thotw se ia vlen që të shihet se e majta a ka konsekuencë e konsistencë parimore në qeverisje, “se në politikë nuk e pamë ndonjë konsistencë në mbrojtje të parimeve politike”, transmeton Koha.net.

“Votuesi në Kosovë i ka mundësuar Vetëvendosjes që të del partia e parë e votuar në zgjedhjet e 6 tetorit 2019, pse qytetari i Kosovës mos ta provoj qeverisjen e Albin Kurtit?!”, shkruan Krasniqi.

Tutje, thotë Krasniqi, nëse për një vit nuk shihet ndonjë ndryshim esencial në qeverisjen e vendit, pas një viti me mocion të mosbesimit lehtë mund të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Postimi i plotë i Krasniqit pa ndërhyrje:

MBASE IA VLEN TA PROVOJMË EDHE QEVERIA E PAKICËS

Republika e Kosovës, shteti më i ri i Evropës, me probleme të shumta politike e diplomatike në raport me Komunitetin Ndërkombëtar si dhe me probleme të shumta politike, ekonomike të brendshme – i duhen institucione ligjore të qëndrueshme. Pastaj, që gjashtë muaj Kosova nuk ka qeveri legjitime, ka një qeveri në detyrë e cila edhe kur ishte legjitime, nuk është shquar për ndonjë qeverisje të mirë e të përgjegjshme.

Pas zgjedhjeve të tetorit është pritur që në afatin ligjor të formohej koalicioni qeverisës, por kjo nuk ndodhi, ndoshta edhe për shkak të mungesës se një vullneti politik te dy partive politike (LVV-së e LDK-së) për ta përmbyllur koalicionin. Ndoshta në një ambient të tillë politikë të mbushur me vija të kuqe, ia vlen që të provohet edhe një Qeveri e pakicës!

Pse ia vlen Qeveria e pakicës?

Shumica në Kosovë janë të mendimit se Kosovës i duhet një qeveri e ndryshimit dhe qeveri ndryshimi me politikat e djathta ideologjike të deritashme, nuk mund të ketë. Mbase, ndryshimi është të politikat e majta ideologjike dhe në këto zgjedhje ky ndryshim mund të gjendet te Vetëvendosja e cila në nivelin qendror nuk është provuar edhe pse në nivelin lokal deri më tani nuk kemi parë ndonjë ndryshim esencial në krahasim më partitë e tjera politike. Por, për një qeveri të pakicës duhet të ketë një vullnet politikë, se paku për t’i shtyrë zgjedhjet për një vit dhe që t’i jepet mundësi të majtës politike për të parë se a është ndryshimi dhe a ka me të majtën qeverisje të mirë. Veç kësaj ia vlen që të shihet se e majta a ka konsekuencë e konsistencë parimore në qeverisje, se në politikë nuk e pamë ndonjë konsistencë në mbrojtje të parimeve politike. Votuesi në Kosovë i ka mundësuar Vetëvendosjes që të del partia e parë e votuar në zgjedhjet e 6 tetorit 2019, pse qytetari i Kosovës mos ta provoj qeverisjen e Albin Kurtit?!

Ky është mendimi i imi krejt personal dhe po të isha deputet në Kuvendin e Kosovës, vota ime do të shkonte për Qeverinë e pakicës së majtë. Bile në ketë rast u bëjë thirrje deputetëve të orientimit të majtë, nëse ka, që t’i bashkojnë votat për Qeverinë e pakicës.

Nëse për një vit nuk shihet ndonjë ndryshim esencial në qeverisjen e vendit, pas një viti me mocion të mosbesimit lehtë mund të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Pasi për më shumë se dhjetë vjet ua dhamë mundësin politikave të djathta të qeverisin me vendin dhe vërtetë qeverisën keq, pse mos t’ia japim një vit mundësi të majtës politike për të qeverisur me Kosovën?

Besoj që nuk do të kemi qeverisje më të keqe sesa kishim deri më tani! Konsideroj që një vit është kohë e mjaftueshme për të parë se çfarë qeverisje po i bëhet vendit. Natyrisht, në ketë rast kërkoj nga Kryeministri i Qeverisë së pakicës (nëse arrihet), që mos ta sheh të Qeverisurit si “hallvën me shumë sheqer”, për qeveritarët, por ta sheh si një sherbet të mirë për qytetarët e Kosovës!

Të ngjashme