Jakurti i VV-së: Nuk po i bëjmë presion Gjykatës Kushtetuese, presim konsistencë nga ta

Prishtinë | 19 Maj 2020 | 18:21 | Nga Ekonomia Online

Edision Jakurti, zëvendësministër në detyrë në MEPTINIS që vjen nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje i ftuar në emisionin Frontal në T7 ka folur për situatën aktuale politike në vend dhe vendimin që po pritet ta marrë Kushtetuesja për mandatarin.

Jakurti ka thënë se qeveria po e kryen punën e saj edhe në detyrë, pavarësisht se ka pasur tri kriza nëpër të cilat ka kaluar muajt e fundit.

“Qeveria në detyrë po e kryen detyrën e vet me një intensitet të lartë, ka qenë një kohë e shkurtë po intensive, përderisa vendet në botë e kanë pasur një krizë të dyfishtë ne e kemi pasur një krizë të trefishtë. E kemi pasur edhe situatën politike që veç i ka vështirësuar punët, megjithatë, qeveria është stabile dhe po i kryen detyrat dhe po presim vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se situata me pandeminë po përmirësohet, teksa ka përmendur protestat që po organizohen edhe në vendet tjera në këtë kohë.

“Po shohim që situata po përmirësohet, ky duhet të jetë lajm i mirë pavarësisht a do të shkohet në zgjedhje apo jo. Fazat që jemi duke i marrë me hapjen graduale të ekonomisë po ashtu janë premtuese.

Ne po shohim edhe në vendet tjera si po organizohen protesta me protokolle të ndryshme”, ka thënë ai, teksa ka folur edhe për vendimin e Kushtetueses që pritet të merret para 29 majit, për çështjen e mandatarit.

“Ne nuk mendojmë që po bëjmë presion, ajo që ne kemi thënë është se ne presim konsistencë të Kushtetueses, dhe presim që vendimi të jetë në përputhje me Kushtetutën, duke pasur parasysh që ata nuk bëjnë rishkrim por interpretim. Do të presim vendimin e tyre dhe do të jemi konsistent”, thotë ai.

Të ngjashme