James Rubin: Biden dhe Blinken, fat i mirë për Kosovën

Prishtinë | 20 Mar 2021 | 18:47 | Nga Ekonomia Online

James Rubin, Ndihmës-sekretari i Shtetit në administratën e Bill Klintonit, diplomati amerikan që ishte ndër protagonistët kryesorë në arritjen e Marrëveshjes së Rambouillet, në një intervistë ekskluzive për Demokracia.com është shprehur krenar me ndihmën amerikane për popullin e Kosovës në kohën kur ai ishte pjesë e Departamentit të Shtetit Amerikan.

E ardhmja e Kosovës sot është në duart e lidershipit politik që ka vendosur të ndez vetëm “motorin” e ndryshimeve të brendshme dhe të mos merret shumë me faktorët e jashtëm si njohjet, njohja reciproke me Serbinë, anëtarësimi në Kombet e Bashkuara, vëren James Rubin dhe shton se për shkak të kësaj, evolucioni i Kosovës në të ardhmen e afërt nuk do të varet nga ajo se kush është në Shtëpinë e Bardhë.

Diplomati që përshkruhet edhe si ish-krahu i djathtë i sekretares Madeleine Albright, e quan fat të mirë për Kosovën që tani në Shtëpinë e Bardhë është një President dhe një Sekretar i Shtetit, që Ballkanin e kanë si një nga momentet përcaktuese të angazhimit të tyre në politikën e jashtme, ku lidershipi amerikan ishte vendimtar dhe kur viktimat ishin ndihmuar dhe agresori ishte sanksionuar.

Ish-zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Amerikan, për Demokracia.com thotë se për sa kohë që populli dhe liderët e Kosovës u qëndrojnë prapa parimeve demokratike dhe të tolerancës, parime këto që e kanë bërë Perëndimin të intervenojë, nuk ka arsye që Shtëpia e Bardhë dhe Departamenti i Shtetit të mos e shohin Kosovën si vend mik dhe vend me të cilin vazhdojnë të jenë krenarë që e kanë ndihmuar.

Demokracia.com: Cili është roli i administratës së re amerikane? Presidenti Biden ka vizituar rajonin disa herë, e përmendët edhe vetë. Sekretari i Shtetit, Blinken, e njeh rajonin mirë. E njeh Kosovën, pasi është marrë me të më herët. Si do të reflektojë kjo në Kosovë dhe në rajon?

James Rubin: E ardhmja e Kosovës, në këtë fazë, duke u nisur nga ajo që e thamë më herët, është në duart e lidershipit politik që ka vendosur të ndez vetëm “motorin” e ndryshimeve të brendshme dhe të mos merret shumë me faktorët e jashtëm si njohjet, njohja reciproke me Serbinë, anëtarësimi në Kombet e Bashkuara. Kjo nuk duket se do të jetë prioritet i tyre. Pra, nuk besoj se evolucioni i Kosovës në të ardhmen e afërt do të varet nga ajo se kush është në Shtëpinë e Bardhë. Kjo do të ishte e rëndësishme nëse do të ekzistonte dëshira për të arritur marrëveshje finale të paqes. Për fat të mirë për Kosovën, keni një President në Shtëpinë e Bardhë dhe një Sekretar të Shtetit, të cilët e kanë Ballkanin si një nga momentet përcaktuese të angazhimit të tyre në politikën e jashtme, kur lidershipi amerikan ka qenë vendimtar, kur viktimat janë ndihmuar dhe agresori është sanksionuar. Nuk besoj që Biden dhe Blinken do ta harrojnë këtë. Biden e konsideron punën e tij në Bosnjë si një nga të arriturat më të mëdha të kohës sa ka qenë senator. Nuk besoj se do të harrojë se kush në cilën anë ishte në atë kohë.

Dhe, për sa kohë që populli i Kosovës dhe liderët e Kosovës u qëndrojnë prapa parimeve demokratike dhe të tolerancës, parime këto që e kanë bërë Perëndimin të intervenojë, nuk ka arsye që Shtëpia e Bardhe dhe Departamenti i Shtetit të mos e shohin Kosovën si vend mik dhe vend që jemi krenar që e kemi ndihmuar.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme