Jashari pas takimit në Bruksel: Kurti për të larguar vëmendjen nga shkelja e zotimeve, u mundua ta luante të ashprin

Prishtinë | 15 Qer 2021 | 17:25 | Nga Ekonomia Online

Njohësi i rrethanave politike në vend, Shemsi Jashari, ka komentuar takimin e parë mes kryeministrit Kurti dhe presidentit serb, Vuçiq.

Jashari për GazetaBlic vlerëson se kryeministri Kurti sot është ulur në tavolinën e dialogut, duke harruar zotimet, që sipas tij, kanë qenë kërkimfalja, njohja dhe shumë të tjera.

“Vazhdimi i dialogut sot do të ishte i zakonshëm dhe nuk do të përbënte lajm, sikur të mos të ishte kundërshtimi i z. Kurti për 15 vite rresht, duke përdorur mjete edhe të dhunshme. Sot vazhdoi dialogu duke harruar të gjitha zotimet e z.Kurti se nuk shkon në dialog pa plotësuar disa kushte si, kërkimfalja, njohja etj”, thotë ai.

Sipas tij, Kurti për të zhvendosur vëmendje nga shkelja e zotimëve të tij, u mundua që në takim të luante të ashprin. Derisa shton se me kalimin e kohës do të shohim një Kurt më konstruktiv dhe më racional, sipas kërkesave të SHBA-së dhe BE-së.

“Në këtë takim të parë me Vuçiqin, është ditur se z. Kurti për të zhvendosur vëmëndjen nga vazhdimi i dialogut dhe shkelja e zotimeve të tij, do të prodhoj lajme tjera duke luajtur të ashprin dhe të pakompromisin, duke dhënë propozime dhe vendosur kushte. Por, me kalimin e kohës do ta shohim një “Kurt” tjetër shumë më konstruktiv dhe më racional sipas kërkesave të SHBA-së dhe BE-së”, deklaron ai.

Sa i përket katër propozimeve që Kurti ja bëri palës serbe, Jashari thotë se disa janë reciklim i temave të mëhershme.

Tutje ai thotë, se nuk pret ndonjë marrëveshje të shpejtë mes Kosovës dhe Serbisë, përveq nëse SHBA dhe BE bëjnë presion.

“Propozimet që z. Kurti ia ka bërë sot Vuçiqit në takim, disa janë reciklim i temave të mëhershme siç është çështja e të pagjeturve dhe disa janë për konsum të brendshëm derisa të mësohen qytetarët me fotot e z.Kurti me Vuçiçin. Unë nuk pres ndonjë marrveshje të shpejtë mes Kosovës dhe Serbisë, përveç nëse SHBA dhe BE bëjnë presion dhe i detyrojnë palët të arrijnë një marrveshje”, thotë Jashari.

Ndryshe, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se dialogun me Serbinë e shohin si dialog për njohje të ndërsjellë derisa ka thënë se kjo është edhe qasja e presidentit amerikan Joe Biden.

“Këtë e ka thënë edhe presidenti amerikan, Joe Biden, dhe plotësisht pajtohemi me këtë formulim. Serbia duhet ta njohë Kosovën dhe një Serbi që e njeh Kosovën e njeh edhe Kosova më pas, dhe kështu dy republikat tona krijojnë marrëdhënie të mirë fqinjësore sipas modelit evropian”, ka deklaruar Kurti.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka thënë se Serbia nuk do të ndalë asnjëherë dialogun.

“Nuk do ndalim asnjëherë dialogun, padyshim se ka detyra që duhet të përmbushën nga pala prej Prishtinës. Kjo është pranuar nga dy përfaqësuesit e BE-së. Kishim negociata serioze dhe ne kemi nënshkruar dokumente të cilat duhet të njihen, të implementohen dhe të përmbushën në mënyrën që duhet”, ka deklaruar ai.

Të ngjashme