Jashari: Programi i Qeverisë veç fjalë, i pa realizueshëm

Prishtinë | 19 Maj 2021 | 20:00 | Nga Ekonomia Online

Njohësi i çështjeve politike, Shemsi Jashari, vlerëson se programi i Qeverisë Kurti II, nuk mund të realizohet, e krejt kjo sipas tij, për faktin që ky i fundit nuk është i fokusuar në nevojat kryesore me të cilat përballet Kosova, nuk ka plan veprim e afate se kur do të realizohet.

Jashari në një prononcim dhënë për Gazeta Blic, vlerëson se programi Qeverisës më shumë duket si një deklaratë politike, se sa si program që mund të realizohet.

“Programi i Qeverisë “Kurti II” është një program që është kritikuar shumë dhe në disa raste kanë të drejtë ata që kanë kritikuar. Kjo pasi si program nuk duket se mund të realizohet dhe nuk e ka fokusin tek adresimi i nevojave kryesore me të cilën përballet Kosova tani, siç është Pandemia Covid-19 dhe rimekëmbja ekonomike. Ky program nuk ka një plan veprimi, nuk ka afate kur do të realizohen projektet e caktuara, nuk janë të specifikuara masat konkrete se si do të bëhet vaksinimi kundër Pandemisë Covid 19, nuk janë të specifikuara masat për rimëkëmbje ekonomike dhe gjithçka duket si një deklaratë politike më shumë se program që mund të realizohet”, thotë ai.

Ai tutje ka komentuar edhe prioritetet e kryeministrit Kurti, për çka thekson se dialogu Kosovë-Serbi, po del të jetë top prioritet i kryeministrit.

“Sa i përket prioriteteve ajo që bie në sy është çështja e dialogut me Serbinë, deri më tani kemi pasur deklarata nga z.Kurti se dialogu nuk është prioritet dhe renditet si prioriteti i 6, por duke parë veprimet që po i bënë, vizitat në Bruksel, pastaj darkat me liderët Serb po del se dialogu është top prioritet. Nuk kemi parë asgjë përveç fjalëve. Por kemi parë angazhime konkrete rreth agjendës së dialogut dhe vizita të kësaj natyre që tregojnë se z.Kurti duhet t’i bindet kërkesave për dialog dhe tashmë kemi një datë kur do të filloj dialogu, edhe pse skemi as gjetje të të pagjeturve e as kërkim falje nga Serbia. Z.Kurti tash që përballet me pushtet duket se ngadal po e kupton se dëshira dhe mundësitë shpesh nuk përputhen”, thotë ai.

Ndërsa, analisti politik, Fitim Salihu, në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se kryeministri Kurti nuk duhet të mohojë që dialogun e ka prioritet kryesor të tij. Për çka thekson, se ky i fundit ngelet prioritet kryesor i secilit kryeminister të Kosovës, derisa të mos zgjidhet kjo çështje.

“Nuk e kuptoj as vetë përse Kurti po tenton ta mohojë që dialogu Kosovë-Serbi është dhe do të jetë prioritet kryesor i tij.Këtë e ka bërë edhe në fushatë edhe po e bën tani. Mund ta fus në program si prioritet të dytë, por ky ngelet prioriteti kryesor i secilit kryeminister të Kosovës derisa të mos zgjidhet kjo çështje”, thotë ai.

Ndryshe, Albin Kurti, Kryeministri i Kosovës mbrëmë në një lidhje direkte nga Brukseli ka folur pas darkës së përbashkët me krerët e Ballkanit Perëndimor.

Ai u shpreh i bindur se dialogu do të ketë të ardhme më të mirë.

“Jam i bindur se dialogu do të ketë të ardhme më të mirë dhe jo ashtu siç ka qenë deri më tani. Pra dekadën e fundit”, ka thënë ndër të tjera Kurti.

Të ngjashme