Nis Java kundër korrupsionit – Reforma në drejtësi e domosdoshme, disa ndryshime ligjore konsiderohen joadekuate

Prishtinë | 05 Dhj 2022 | 11:40 | Nga Fitore Berisha Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Organizatat e Shoqërisë Civile kanë filluar “Javën Kundër Korrupsion 2022″, ku do të mbahen aktivitete të ndryshme, që për synim kanë sensibilizimin kundër korrupsionit, raporton Ekonomia Online.

Mexhide Demolli drejtoreshë ekzekutive e Lëvizjes “FOL”, kur foli për aktivitet tha se Për shënimin e kësaj jave kanë planifikuar të kenë të ftuar të gjithë akterët vendor dhe ndërkombëtar në Kosovë, me qëllim të sensibilizimit në rritjen e transparencës dhe llogaridhënies sa i përket luftës kundër korrupsionit.

Ajo ka bërë të ditur se në takim janë ftuar edhe përfaqësues të KPK-së dhe KGjK-së, por që të njëjtin nuk kanë marrë pjesë.

“Sot po fillojmë javën kundër korrupsion. Gjatë kësaj jave do të ketë aktivitet që kanë qëllim luftimin e korrupsionit. Sot është aktiviteti reforma në drejtësi një nga hallkat më të rëndësishme”.

“Reforma që synojnë te luftojnë korrupsionin. Në këtë organizim kanë qenë të ftuar sistemi gjyqësor dhe prokurorial, por nuk i janë përgjigjur ftesës sonë”.

Këshilltari i ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, Eros Gashi, tha se e kanë marrë me seriozitet t reformën në drejtësi.

Sipas tij, iniciativa për të reformuar sektorin e drejtësisë ka pasur edhe në qeverisjet e kaluara, por mosefikasiteti i sistemit është evident.

Ai tha se kanë marrë një sërë të inciativave ligjore që përfshijnë reformimin e Këshillin Prokurorial të Kosovës dhe Këshillin Gjyqësor.

Tutje, përmendi edhe iniciativën për Byronë Shtetërore për Verifkimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme dhe projektligjin për Gjykatën Komerciale, ku kjo gjykatë filloi punën më 3 gusht të po të njëjtit vit.

“Përveç këtyre iniciativave ligjore që tashmë janë miratuar nga Kuvend, Qeveria ka proceduar edhe një sërë projektligjesh në Kuvend, duke përfshirë edhe dosjen për Vettingun. Këtë proces siç e dini e kemi kaluar në Kuvend të Kosovës, gjithashtu ne si MD mbesim prapa këtij procesi dhe do të vazhdojnë të japim kontributin tonë për këtë proces”.

“Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit të Procedurës Penale dhe ai për Kod Penal pritet të shqyrtohen gjatë ditëve ose javëve në vijim me qëllim të ashpërsimit të sanksioneve penale për kryerësit e veprave penale të dhunimit, dhunës seksuale dhe dhunës në familje si nevojë e adresimit të fenomeneve të tilla me pasoja shqetësuese kohëve të fundit në vendin tonë”.

Liridon Salihu nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), tha se në vazhdimësi kanë potencuar faktin se sistemi i drejtësisë ka nevojë për reforma të mirëfillta.

Ai ka shtuar pozitive është që tashmë është gati pakoja e Vettingut, e që sipas tij, ka adresuar edhe rekomandimet e dhëna nga Komisioni i Venecias.

“GLPS në përgjithësi ka përkrahur idenë e Vettingut përmes ndryshimeve kushtetuese, duke qenë se mekanizmat ligjor që i kemi tani nuk po japin rezultate adekuate në raport me efikasitetin, transparencën dhe llogaridhënien e komplet sistemit të drejtësisë”.

Gzim Shala nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), lidhur me Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK), tha se është shqetësuese qasja e Gjykatës Kushtetuese që deri më tani nuk ka vendosur përkitazi për këtë rast.

“Afati në këtë rast, ligji për Gjykatën Kushtetuese ka vendosur afat kur duhet të vendos që është 60 ditë dhe përkundër kësaj ende nuk ka vendosur dhe është shembull i keq kur Gjykata Kushtetuese nuk respekton afatet ligjore dhe përçon mesazh të keq edhe të gjyqësori i rregullt që problem i tyre është mosrespektimi i afateve ligjore”, ka thënë ai.

Shala tha se Kodi i Procedurës Penale nuk e ka adresuar njërën nga çështjet që është ngritur vazhdimisht e që është kontrolli gjyqësor.

Sa i përket ndryshimeve të reja të Projekt kodit Penal dhe atij të Procedurës Penale në raport me dhunën në familje, ai tha se ka ndryshime që cenojnë pikërisht të drejtat e viktimave.

Përparim Gruda, koordinator i projektit për drejtësi në kuadër të kabinetit të qeverisë së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), duke komentuar se çfarë ka bërë Qeveria gjatë dy viteve në pushtet, ka thënë se ka pasur mungesë totale të koordinimit me gjyqësorin.

Sipas tij, pushteti gjyqësor është sulmuar, duke shtuar se asnjëherë nuk kanë parë ministra që i komentojnë aktakuzat dhe aktgjykimet.

“Ne kemi një kryeministër që dje ose pardje tha që gjyqtarët që kanë vendosur pezullimin e vendimit për pagat, vendosën shumë shpejt, ndërkohë që ne e kemi dosjen”, tha Gruda.

Ndërkaq, lidhur me procesin e Vettingut, Gruda ka thënë se PKD është për procesin e Vettingut, por sipas tij, për të njëjtin nuk ka seriozitet nga ana e Qeverisë.

Pjesë e koalicionit të OJQ-ve në kuadër të “Javës Kundër Korrupsionit”, janë 6 organizata: Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), Lëvizja Fol, Iniciativa për Progres, Çohu dhe Colombus.

Të ngjashme