Javët vendimtare për Demarkacionin

Prishtinë | 11 Pri 2017 | 09:05 | Nga

Demarkacioni pritet të rikthehet këtë muaj në Parlament. Zyrtarët qeveritarë besojnë se marrëveshja do të kalojë, derisa opozita zotohet se do ta pengojë të njëjtën.

Ndërsa njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare thonë se Kosova ka humbur shumë kohë dhe pasojat e kësaj neglizhence do të vërehen në ditët në vazhdim, shkruan sot, gazeta Zeri.

Që nga viti 2010 premtimet për liberalizimin e vizave kanë qenë “arma” kryesore e liderëve politikë kosovarë. Presidenti aktual Hashim Thaçi dhe kryeministri Isa Mustafa dy partive më të mëdha në vend u kanë sjellë numër të konsiderueshëm të votave mbi këtë kauzë.

Mirëpo, edhe pse ka shkuar pothuajse një dekadë nga fillimi i këtyre premtimeve, të vetmit që kanë mbetur duarbosh janë qytetarët e Kosovës.

Ata edhe sot vazhdojnë të mbesin “të izoluarit e Evropës”, derisa për t’u pajisur me një vizë detyrohen të kalojnë nëpër procedura të gjata dhe stresuese burokratike. Marrëveshja për Shënjimin e Kufirit me Malin e Zi, që u tha se ka mbetur kushti i vetëm pa plotësuar para se Kosova ta përfitojë liberalizimin, po zvarritet tashmë dy vjet.

Në Qeveri thonë se ajo pritet të vijë në Kuvend brenda muajit dhe kësaj radhe të ketë një rezultat pozitiv.

Ndërkohë opozita edhe këtë herë ka paralajmëruar bllokimin e saj. Mirëpo përkundër kalimit apo jo të kësaj Marrëveshjeje, njohës të marrëdhënieve ndërkombëtare në vend kanë thënë se tashmë askush nuk e di se kur kosovarët do të udhëtojnë pa viza.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme