Jehona Lushaku zgjidhet kryetare e Forumit të Gruas të LDK-së

Prishtinë | 14 Kor 2022 | 00:15 | Nga Ekonomia Online

Jehona Lushaku Sadriu është zgjedhur kryetare e Forumit të Gruas së Lidhjes Demokratike të Kosovës, duke e zëvendësuar Lirie Kajtazin, e cila po i udhëhiqte gratë e LDK-së.

“Kuvendi Zgjedhor i Forumit të Gruas së LDK-së, për kryetare sapo zgjodhi Dr. Jehona Lushaku Sadriu”, thuhet në postimin e kësaj partie në Facebook.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, gjatë fjalimit të tij theksoi se “Lidhja Demokratike e Kosovës në organizmin e saj themeltare ka qenë gjithmonë lëvizje progresive e përparimtare.

“Kjo shtëpi e demokracisë do të ecë mirë e mbarë kur barabartë me gratë, me burrat, të rinjtë e të rejat do të shpijë përpara vizionin rugovist që ka si akt themeltar të saj”, tha kreu i LDK-së.

“Këtë forcë progresive tonën duam ta zhvillojmë brenda LDK. Një LDK që organizimet e veta partiake nuk i ka të mbushura me dhoma burrash me pikëpamje nga ta, për ta e për gra, por me dhoma të mbushura mendjesh të mëdha të grave politike brenda LDK-së”.

Ai ka theksuar se është i sigurt se LDK-ja ka potencial të jashtëzakonshëm brenda radhëve të veta siç ka dhe ide të qarta për rrugëtimin e saj përpara.

“Kosovës i duhet një parti moderne, një parti përparimtare, një parti e guximshme, një parti që të gjitha resurset e veta i trajton barabartë”, vijoi Abdixhiku.

Të ngjashme