Jetmir Bakija: Marrëveshja VV-LDK, barra e përgjegjësisë bie mbi Kurtin

Prishtinë | 31 Jan 2020 | 19:02 | Nga Ekonomia Online

Jetmir Bakija nga Demokracia Plus ka komentuar pozicionet politike para seancës plenare të së hënës, kur dhe pritet të votohet Qeveria Kurti, – ndonëse ende nuk është arritur një marrëveshje VV-LDK.

Bakija ka vlerësuar se nëse dështon marrëveshja, e gjithë barra e përgjegjësisë për qeverisje, i takon Albin Kurtit, njofton Klan Kosova.

”Ka shumë arsye që pse edhe LDK duhet të lëshojë pe. Por shkrimi im ka qenë i adresuar për VV-në sepse barrën më të madhe për qeverisjen e ka Albin Kurti”.

”Kam insistuar që së paku në postin e presidentit të mos jenë insistues. Për mua është me rëndësi që të ketë një marrëveshje funksionale. Ndoshta të mos jetë edhe plotësisht fer”.

”Sot kam listuar 7 arsyet, duke nisur nga e para që barrën më të madhe e ka Albin Kurti. Në zgjedhjet e 6 tetorit mandate iu është dhënë atij. E ka kufizuar veten vetëm në LDK, për të mirë apo për të keq, e tani e ka lënë LDK-në në një pozitë më të mirë negociuese”.

”LDK duket që nuk do të lëshojë pe, i kanë dhënë deklaratat e fundit, dhe mendoj që nuk po lëshon pe në pikat kryesore. LDK ka shkuar për ta zgjedhë kryekuvendarin pa një marrëveshje. VV ka lëshuar pe në pikën më kyçe, por për shkak të kryekuvendarit të dështojë edhe seanca, kjo s’është në rregull të ndodhë”.

Ai në Info Magazinën e Klan Kosovës, u shpreh se edhe dorëheqja e Glauk Konjufcës nuk do të ishte e duhur por për shkak të votuesve të zgjedhjeve të 6 tetorit, duhet të kishte lëvizje në këtë drejtim.

”Nuk është mirë që Glauk Konjufca të japë dorëheqje. Mbi 50% të votuesve duhet të mendohet për udhëheqjen e Qeverisë. Këto pazare që kanë filluar nuk janë të mira as nga LDK e as nga VV. Jemi në një situatë shumë të palakmueshme. Jemi në prag të dështimit të themelimit të një qeverie që e kanë votuar mbi 50%”.

”Vija e Kuqe do të ishte kryeministria. Nëse e kërkojnë kryeministrinë atëherë më mirë të mos ishte bë hiç. Nëse dështon të hënën, me shumë gjasë presidenti mund t’ua jap kujtdo vet – mund t’ua jap edhe PDK-së, dhe ku mbetet Vetëvendosje? Nuk duhet në këto momente të shihet për një marrëveshje ideale, është koha për një marrëveshje sado funksionale”.

”E provon më së pari marrëveshjen më të mundshme. Posti i kryeministrit derisa nuk i preket VV-së, atëherë duhet të vazhdohen bisedimet. Duhet të shihet se si duhet të integrohen. Nëse janë mbi 12 ministri, Listës Serbe iu takojnë dy ministri. Kam qenë kritik kur LDK e ka shti presidentin në marrëveshje. Nuk është dashur për shkak se duhet një çështje më e gjerë. E kam prit kur Lëvizja Vetëvendosje ka lëshuar pe në atë pikë”.

Të ngjashme