Jevtiq: Lista Serbe ka të drejtë të jetë pjesë e institucioneve të Kosovës

Prishtinë | 07 Nën 2019 | 10:37 | Nga Ekonomia Online

Lista Serbe ka të drejtë të jetë pjesë e institucioneve të reja të Kosovës, ka thënë nënkryetari i saj, Dalibor Jevtiq.

Përfaqësuesit e Listës Serbe nuk insistojnë të hyjnë në Qeverinë e Kosovës por thonë se ligjet janë të qarta dhe kjo nuk është e mundur të ndodh pa ta, ka thënë nënkryetari i Listës Serbe, Dalibor Jevtiq.

Ai ka thënë se në lidhje me këtë çështje do të bisedojnë sot me drejtorin e të ashtuquajturës zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq.

“Ligjet janë të qarta, edhe Lista Serbe është fituese e zgjedhjeve brenda komunave serbe dhe si e tillë ka të drejtë të jetë pjesë e institucioneve”, deklaroi Jevtiq për “RTS”, transmeton lajmi.net.

Jevtiq ka thënë se Lista Serbe nuk insiston të bëhet pjesë e Qeverisë por shikon se cili është interesi i popullit të saj.

“Ne në lidhje me këtë temë dhe të tjerat do të kemi mundësi të bisedojmë me drejtorin e zyrës për Kosovë, do të diskutojmë për atë që është e rëndësishme në mënyrë që së bashku të vendosim për hapat tanë të mëtutjeshëm”, shtoi ai.

Jevtiq po ashtu ka thënë se porositë që vijnë nga lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti nuk ndihmojnë dhe paraqesin kthim në vitet e 90-ta.

“Do të jetë interesante të shohim si do të veprojë. Është diçka tjetër të jeni kryetar i një partie e cila ka qëndrime radikale si Vetëvendosje, e diçka tjetër të jeni në krye të qeverisë, ku në atë qeveri keni persona që kanë mendime ndryshe nga ju”, theksoi Jevtiq, transmeton lajmi.net.

Sa i përket propozimit të Kurtit për reciprocitet, Jevtiq ka thënë se askush nuk e di se çfarë do të thotë kjo dhe si do të ketë ndikim.

“Taksa duhet të hiqet, por nëse sot vendosen masa të tjera të paralajmëruara nga Kurti, do të kemi një situatë e cila mund të jetë edhe më e vështirë”, u shpreh ai.

Të ngjashme