Joseph: Ideja e bashkimit me Shqipërinë vetëm sa nxit separatizmin e serbëve të Kosovës

Prishtinë | 09 Qer 2019 | 08:31 | Nga Ekonomia Online

Ideja e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë është një tjetër qasje dhe vlerësim i kotë e i papërgjegjshëm që vetëm sa e nxit separatizmin e serbëve të Kosovës. Kështu thotë eksperti i mirënjohur amerikan për Ballkanin, Edward P. Joseph.

Në një intervistë për “Kohën Ditore”, Joseph foli edhe për dështimin e dialogut të deritanishëm ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për arsyet pse ideja e shkëmbimit të territoreve dhe korrigjimit të kufijve ishte e keqe, si dhe për nevojën që dialogu të vihet nën udhëheqjen amerikane.

Joseph, aktualisht profesor dhe shkollar i lartë pranë “Johns Hopkins School of Advanced International Studies”, ka edhe një propozim se si do të mundë të arrihej një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, e modeluar në marrëveshjen mes Shkupit dhe Athinës.

“Me qëllim që ta përmbushin synimin historik shqiptar për pavarësimin e plotë dhe të tërësishëm të Kosovës, shqiptarët, paradoksalisht, duhet ta pranojnë lidhjen e pashkëputshme me serbët në Kosovë. I takon Prishtinës të pranojë dhe të respektojë se Beogradi – me gjithë shtypjen – i ka legjitimë pretendimin dhe lidhjen me Kosovën si burim të kombësisë serbe. Kjo gjë nuk është e lehtë, por Greqia dhe Maqedonia e Veriut demonstrojnë se mund të bëhet”, thotë Joseph, i cili me vite të tëra ka punuar në Kosovë dhe rajon, dhe në Washington konsiderohet si një prej njohësve më të mirë të zhvillimeve dhe rrethanave në Ballkan.

KD: Z. Joseph, qëndrimi juaj i fundit rreth asaj se si do të mundë të shpëtohej nga dështimi dialogu Kosovë-Serbi, i publikuar në revistën “Foreign Policy”, ka tërhequr goxha vëmendje në rajon dhe gjetkë. Aty bëni thirrje për një qasje krejtësisht ndryshe për çështjen. A do të thotë kjo, sipas këndvështrimit tuaj, se dialogu aktual i ndërmjetësuar nga Brukseli ka dështuar dhe nuk mund të ringjallet?

Joseph: Pa dyshim, qasja e bazuar në mbështetjen (qoftë pasive apo aktive) e ndarjes së Kosovës, përfshirë të ashtuquajturin shkëmbim territoresh, ka dështuar. Kancelarja gjermane, Angela Merkel, e ka bërë të qartë këtë gjë në Samitin e Berlinit, në fund të prillit. Problemi qëndron aty se as ajo dhe as ndokush tjetër nuk e ofron një alternativë.

Këtë gjë unë provova ta bëja në artikullin tim në “Foreign Policy” – të propozoj një mënyrë të re për zgjidhjen e bllokadës së Kosovës. Aty përmend se si Prishtina ashtu edhe Beogradi kanë cekur – me të drejtë – se SHBA-ja duhet të jetë plotësisht e angazhuar që dialogu i ringjallur dhe negociatat të korrin sukses. Me hendekun e krijuar tani në Bruksel (pas zgjedhjeve për Parlamentin Evropian) është me rëndësi që Washingtoni t’i prijë këtij procesi.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme