Jovanoviq: Beogradi do veriun në këmbim të njohjes, dialogu i bazuar në persona kërcënim për Kosovën

Prishtinë | 11 Maj 2018 | 11:18 | Nga Mehmet Krasniqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryetari i Partisë Demokratike Liberale në Serbi, Çedomir Jovanoviq, tha se edhe pse nuk është koncept zyrtar i politikës së Beogradit, shteti fqinjë i Kosovës e do veriun e vendit në këmbim të njohjes, raporton Ekonomia Online.

Këto komente ai i bëri gjatë tryezës me temën “Cila është e ardhmja e marrëdhënieve Kosovë-Serbi”së organizuar nga KDI, ku ishte i pranishëm edhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj.

“Pranimi i ndërsjellët nuk është real sepse shoqërisë serbe nuk duhet t’i imponohet një gjë e tillë. Ju flisni për pranim të ndërsjellët, por çfarë do Beogradi, ai do diçka por nuk mund ta thotë. Na jepni veriun e Kosovës dhe ne do ta pranojmë pavarësinë tuaj. Por ky nuk ka qenë koncept zyrtar i politikës së Serbisë”.

Sipas politikanin serb që e pranon pavarësinë e Kosovës, edhe pse është ndryshuar retorika e dialogut Prishtinë-Beograd dhe në Serbi nuk është problem takimet me një shtet që e konsiderojnë pjesë të tyre, dialogu i bazuar në persona është kërcënim për Kosovë, raporton EO.

Jovanoviq akuzoi Beogradin për ndalimin e karateistëve kosovarë që të hyjnë në Serbi duke u pamundësuar pjesëmarrjen në kampionatit evropian në Novi-Sad.

Kjo sipas tij, ngase secila gjeneratë ka qenë gjeneratë e luftës,prandaj ka kërkuar të shkohet drejt paqes dhe zgjidhjes së mosmarrëveshjeve.

“Unë problemin e shoh në anën tjetër, vërej se është ndërruar retorika, vërej se për kryetarin Vuçiq nuk është sot problem të thotë se është dëgjuar me kryetarin Thaçi, por më shqetëson gjendja e përgjithshme në të cilën ndodhet shoqëria ime, e cila nuk është e aftë të kuptojë realitetin, njëjtë sikurse në të kaluarën. Prandaj nuk besoj në marrëveshjet pas të cilave qëndrojnë individët. Kjo në një mënyrë është kërcënim për të gjithë, duke përfshirë këtu edhe Kosovën dhe mënyrën se si do t’i qasemi të vërtetës rreth Kosovës”.

“Ne bisedojmë me Kosovën por karateistë s’mund të hyjnë ne Serbi. Është problem kur Serbia pranon Sheshelin. Nuk jam i lumtur atë që shoh rreth meje. Ne vet të formojmë marrëdhëniet tona. Secila gjeneratë ka qenë gjeneratë e luftës, duhet të kemi idenë e paqes dhe të zgjidhim mosmarrëveshjet. Ajo që ka ndodhur, nuk e di se në çfarë mënyre Serbia mund të jetë më e mirë nëse kundërshton faktin se Kosova është e pavarur”.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj tha se ka parime se si do të duket faza e fundit e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

“Janë arrit shumë marrëveshje, të cilat për nga numri janë të shumta por për nga shpejtësia e zbatimit janë marrëveshje që janë zbatuar me një shpejtësi të vogël. Mendimi historik dhe hegjemonik serb mbi Kosovën ka qenë problem i vazhdueshëm”.

Hoxhaj ka shtuar se pritja e vetme që ka Kosova nga dialogu me Serbinë, është njohja.

“Por të mendohet që Serbia të jetë garanci që Kosova të anëtarësohet në OKB siç po flet presidenti Vuçiq, kjo nuk është letër që Vuciqi e ka në dorë, këtë letër e kanë në dorë të tjerët. Serbia nuk mund të anëtarësohet në BE pa e njohur Kosovën”.

Të ngjashme