Juristi Palushi: Ndryshimi i Kushtetutës për Asociacionin do të ndërronte organizimin shtetëror të Kosovës

Prishtinë | 16 Tet 2020 | 19:21 | Nga Ekonomia Online

Juristi Kushtrim Palushi tha se Asociacioni i formuar me parimet që po e kërkojnë serbët është kundër Kushtetutës së Kosovës dhe për t’u realizuar ai duhet ndryshuar ato nene ku bie në ndesh.

Por, sipas tij, kjo është shumë e rrezikshme sepse palët në dialog për gjithçka që nuk iu pëlqen do të kërkojnë ndërrim të Kushtetutës, njofton Klan Kosova.

“Kushtetuta e Kosovës ka paraparë edhe mundësinë e ndryshimit. Ligjërisht është e mundur, por se sa është e arritshme është e diskutuar. Për të ndryshuar Kushtetutën mjafton qoftë qeveria, presidenti apo ¼ e Kuvendit të propozojë ndryshimin e Kushtetutës, ndërkaq çfarëdo ndryshimi të bëhet duhet paraprakisht të miratohet nga Gjykata Kushtetuese, në mënyrë që ndryshimi të mos pakësojë të drejtat që parashihen me kapitullin 2 të Kushtetutës”.

Megjithatë, të ndërrohet Kushtetuta duhet të kalojë në duart e shumicës së deputetëve.

“Për të kaluar ndryshimi duhet të votojnë 2/3 e deputetëve Kuvendit të Kosovës që aktualisht apo në çfarëdo përbërje të re është shumë e vështirë që të arrihet. Nëse përfshihet në një marr finale me Serbinë edhe ndryshimi i kusht do të mund të bëhet edhe me miratimin e gjykatës Speciale”.

Por, çka duhet ndërruar në Kushtetutë?

“Gjykata Kushtetuese në vitin 2015 ka shqyrtuar Asociacionin me parimet e tij dhe ka gjetur se përbërja ose mënyra se si është arritur marrëveshja nuk përkon me disa nene të Kushtetutës, në veçanti me nenet që kanë të bëjnë me organizmin e pushtetit lokal me ndarjet dhe kontrollin pushtetit lokal të Kosovës. Ndryshimet duhet të bëhen thelbësore që kanë të bëjnë me organizimin e shtetit të Kosovës në përgjithësi dhe organizimin e pushtetit lokal dhe kompetencat që ka ai në raport me pushtetin qendror”.

“Asociacioni që ka kundërshtuar Gjykata Kushtetuese ka kompetenca të ngjashme me qeverinë apo me autoritetet qendrore dhe për këtë arsye Gjykata Kushtetuese ka konstatuar që nuk është në përputhje me disa nene. Prandaj, për t’u bërë një asociacion i tillë që është deklaruar se është kundërkushtetues për t’u bërë kushtetues duhet ndryshuar Kushtetuta dhe një gjë e tillë është mjaft e rrezikshme”.

Të ngjashme